“SPAK do t’i thajë trungun Berishës”, ja hapi i radhës sipas Artan Hoxhës

23/10/2023 18:56

Ish-kryeministri Sali Berisha është vënë nën hetim për privatizimin e ish-kompleksit “Partizani”, ndërsa ndaj tij rëndon akuza e korrupsionit pasiv.

I ftuar në “Top Talk”, gazetari i kronikës Artan Hoxha ka deklaruar se situata në të cilën gjendet aktualisht Berisha është pasojë e vendimit të Departamentit Amerikan të Shtetit për ta shpallur ‘non grata’.

Sipas Hoxhës, bazuar në precedentët e mëparshëm, dy janë mënyrat se si funksionon SHBA; të godasin direkt ose të thajnë burimet. Gazetari theksoi se kur Berisha u shpall ‘non grata’ për minim të demokracisë dhe përfshirje në afera korruptive ishte paralajmërimi i parë për t’u tërhequr. Fakti që ish-kryeministri vendosi të përballej duke mos bërë hap pas, solli pasojën tjetër, që është ‘tharja e burimeve’ që financojnë fushatat e tij; familjarët.

 “Unë mendoj se hapi tjetër i SPAK-ut do të jetë të godasë të gjithë rrethin e afërt të Berishës dhe paratë që financojnë aktivitetin e Berishës”- theksoi Hoxha, duke shtuar se: “Në këto momente Berishës i mbetet vetëm të vendos se çfarë do të bëjë me vendimin që i ka komunikuar gjykata për detyrimin për paraqitje dhe dorëzimin e pasaportës për të mos lejuar lëvizjen jashtë territorit të Shqipërisë.”

Pjesë nga biseda:

Xhokaxhi: Këto hetime të SPAK, ky vendim i marrë, a lidhet me ‘non grata-n’ e Sali Berishës nga SHBA sepse po të kemi parasysh, një prej akuzave të bëra ishte favorizim në korrupsion?

Artan Hoxha: Berisha nga vendimet e Departamentit Amerikan të Shtetit ka dy akuza kryesore; së pari, për minim të demokracisë në vend dhe së dyti, i përfshirë në aferat korruptive.

Tani nëse e shikojmë si fabul, përfshirë edhe mënyrën si kanë vepruar më parë SHBA-të për raste të ngjashme, ata kanë dy mënyra; ose të godasin direkt, ose të thajnë burimet. Në rastin konkret ata i dhanë ‘non grata-n’ Berishës me qëllim që ai të largohej dhe të tërhiqej. Berisha bëri të kundërtën, vendosi të përballej, kështu që ata ndërmorën hapin e dytë e ‘tharjes së burimeve’.

Unë mendoj se hapi tjetër i SPAK-ut do të jetë të godasë të gjithë rrethin e afërt të Berishës dhe paratë që financojnë aktivitetin e Berishës.

Gjithmon, kjo është ajo çka mendoj unë bazuar nga çfarë kam informacion apo procedura e ndjekur gjatë viteve të fundit në SPAK, bazuar edhe në kontaktet që kam pasur apo rastet kur kam shkuar vetë në Prokurorinë e Posaçme për të dhënë informacion si njeri mbi të dhëna që disponoja, sepse nuk mund të jem 100% i sigurt.

Amerikanët të godasin fillimisht në mënyrë të drejtëpërdrejtë dhe në qoftë se ti vendos të përballesh me ta, ata të thajnë burimet. Që të thajnë trungun, ata kanë vendosur të presin rrënjët. Por kush janë rrënjët në këtë rast? Nëse ti bllokon 5.4 milionë euro dhe vazhdon të kërkosh paratë tek familjarët e tjerë të rrethit të ngushtë të Berishës, atëhere praktikisht e lë atë si një qytetar i thjesht. E kthen në një njeri që nuk mund të përballet dhe të financojë një fushatë të tillë, fushatë që synon më tepër sesa të sqarojë organet e drejtësisë. Synon të mbajë rreth vetes përkrahësit, militantët e tij, dhe të krijojë një rrethanë ekstraligjore që t’i shpëtojë një përballje me drejtësinë.

Në këto momente Berishës i mbetet vetëm të vendos se çfarë do të bëjë me vendimin që i ka komunikuar gjykata për detyrimin për paraqitje dhe dorëzimin e pasaportës për të mos lejuar lëvizjen jashtë territorit të Shqipërisë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA