Pasi u njoh me masën e sigurisë “detyrim paraqitje” nga GJKKO për çështjen “Partizani”, ndërtuesi Fatmir Bekteshi ka mohuar akuzat.
Gazetarja Anila Hoxha mëson Fatmir Bektashi ka deklaruar se i qëndron përballë drejtësisë, pasi sipas tij nuk ka asnjë vepër penale të pretenduar nga akuza dhe këtë do e vërtetojë koha.
“Unë kam një parim, çfarë do që të ndodhë, dil nga dera kryesore dhe përballu me këdo. Unë e dija që kishte hetim prej 2020. Kam qëndruar këtu të përballem me drejtësinë. S’ka asnjë vepër penale të pretenduar nga akuza dhe këtë do ta vërtetojë koha”- ka deklaruar Bektashi.
Gjatë deklarimit në seancën me dyerë të mbyllura, Jamarbër Malltezi deklaroi se procedurat për privatizimin e objektit kanë nisur në vitin 2000.
“Nuk e dija që armiku isha unë. Procedurat për privatizimin e objektit kanë nisur në vitin 2000. Është firmisur inventarizimi nga kryeministri aktual që është Edi Rama, i cili ka qenë kryetar bashkie”– tha Malltezi, raporton gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha.
Sipas Malltezit, zona ka qenë pjesërisht sportive dhe pjesërisht zonë banimi, jo pjesërisht sportive sikurse e përmend akuza. Në dëshminë e siguruar nga Top Channel, Malltezi theksoi se kjo që po i bëhet personit të tij është sulm politik. Ai akuzoi Prokurorinë e Posaçme se ka marrë për bazë “fotokopje” gjithçka ka thënë akuzatori kryesor në këtë çështje, Taulant Balla.
“E gjithë zona nuk ka qenë zonë sportive siç përmend akuza, ka qenë pjesërisht sportive dhe pjesërisht zonë banimi. Zona sportive ka qenë me uzurpues të paligjshëm, i cili pretendonte se kishte të regjistruar shoqëri aksionere KF Partizani. Vetë Ministria e Mbrojtjes në kohën e Pandeli Majkos ka hapur proces civil dhe gjykata e shfuqizoi KF Partizanin të regjistruar si shoqëri aksionere. SPAK ka marrë fotokopje çfarë ka thënë Taulant Balla. Të gjitha janë akuza politike. Jam i arsimuar, jam prof. doktor. Jetoj në Shqipëri, kam pasur mundësi të largohem. Hetimi po mbahet prej 2020 dhe unë kam qënë në dijeni të këtij procedimi. Nëse doja të largohesha, do largohesha”– u shpreh Malltezi.
Top Channel