Prerje koke, trupa të përqafuar të djegur për së gjalli/ Dëshmitë tronditëse të mjekëve që ekzaminuan trupat e masakruar nga Hamasi

23/10/2023 11:34

Dy javë pas sulmit të papritur dhe të përgjakshëm të Hamasit ndaj Izraelit, Qendra Kombëtare e Mjekësisë Ligjore e Izraelit po përballet me sfida të paprecedentë në identifikimin e viktimave.

Sipas një njoftimi të autoriteteve izraelite, kjo qendër ka punuar pa ndërprerje për dy javët e fundit, ku ekspertët e saj përpiqen të identifikojnë një numër të madh të të vdekurve, trupat e të cilëve mbajnë shenjat tronditëse të brutalitetit të vrasësve të tyre. Deri më tani ka përfunduar këqyrja e 870 trupave, ndërsa kanë mbetur qindra që ende nuk janë identifikuar.

Vështirësitë e kësaj ndërmarrjeje janë të mëdha dhe stafi mjekësor i Qendrës po punon gjatë gjithë ditës për identifikimin e viktimave dhe përgjigjen e familjeve të pikëlluara. Përveç stafit të përhershëm të Qendrës, ekzaminues mjekësorë vullnetarë nga SHBA, Zelanda e Re dhe Zvicra po ofrojnë shërbimet e tyre për të identifikuar sa më parë më shumë se 1400 viktimat e masakrës nga terroristët e Hamasit.

Përveç numrit të madh të viktimave, një faktor tjetër që e ndërlikon shumë punën e ekspertëve është natyra e vrasjeve. Terroristët e Hamasit përdorën metoda të ndryshme të tmerrshme për të përhapur vdekjen, duke përfshirë të shtëna, therje me thikë, prerje koke, sulme me sëpatë dhe zjarrvënie. Disa trupa ishin aq të gjymtuar dhe abuzuar, saqë ishte e pamundur të identifikoheshin.

Dr. Hagar Mizrahi, drejtuese e departamentit të mjekësisë në Ministrinë e Shëndetësisë, tha se këto dy javët kanë qenë më të vështirë që qendra ka ndërmarrë ndonjëherë që nga hapja e saj.

“Unë kam punuar si mjek dhe kirurg për më shumë se njëzet vjet. Kam parë skena të vështira në jetën time profesionale, kam trajtuar të plagosurit nga sulmet terroriste, por është hera e parë që përballem me pamje kaq të tmerrshme… Shpirti i njeriut nuk i përballon dot mizoritë e kryera. Ne, si mjekë, zgjohemi çdo mëngjes me qëllimin për të shpëtuar jetë. Si popull izraelit ne e konsiderojmë jetën të shenjtë. Unë personalisht kam besim se si një komb i rilindur nga hiri i kampeve të shfarosjes së Holokaustit, ne do të kemi sukses të rilindim tani. Ne do t’i varrosim të vdekurit. Ne do të kujdesemi për të plagosurit, si mendërisht ashtu edhe fizikisht. Ne do të bëjmë gjithçka që duhet sepse ky është i vetmi shtet hebre”, u shpreh Dr. Hagar Mizrahi.

Dr Chen Kugel, drejtor i Institutit të Shkencave Ligjore, falënderoi nga ana e tij dhjetëra vullnetarë nga rajone të ndryshme të Izraelit dhe vende të tjera të botës, të cilët me vetëmohim ofrojnë shërbimet e tyre për identifikimin e viktimave. Sa i përket procesit që po ndiqet, ai tha se është jashtëzakonisht i trishtuar dhe i ndërlikuar.

“Imazhet janë shumë të vështira, por historitë pas tyre janë edhe më të vështira. Shohim të rinj e të moshuar, gra e fëmijë me trupat e tyre të mbushur me plumba. Disa u vunë në pranga, të tjerët u dogjën të gjallë duke përqafuar fëmijën e tyre. Disa viktima mbetën vetëm me hi dhe copa të vogla kockash. Asnjëherë, gjatë gjithë jetës sime profesionale, nuk kam parë një mizori kaq të madhe dhe të paimagjinueshme”, u shpreh Dr Chen Kugel.

Nurit Bobalit, drejtor i laboratorit të mjekësisë ligjore në Institutin e Shkencave Ligjore, përshkroi sfidat me të cilat përballen ekspertët e qendrës:

“Laboratori biologjik në Institutin Kombëtar të Shkencës Ligjore deri më tani ka marrë rreth 900 mostra të marra nga kufoma apo organe njerëzore. Këto mostra janë marrë nga shtetas të pafajshëm izraelitë që janë vëllezërit dhe motrat, prindërit dhe fëmijët tanë dhe duhet të identifikohen përmes ADN-së. Procesi është i gjatë dhe i ndërlikuar, si për shkak të vëllimit të mostrave, ashtu edhe për shkak të gjendjes së trupave që përkeqësohet me kalimin e kohës. Ekipi i laboratorit të krimit të Institutit Kombëtar të Shkencës Ligjore rekrutoi vullnetarë nga fusha e gjenetikës klinike, të cilët, së bashku me teknologjitë e avancuara, po ndihmojnë në zgjerimin e aftësive të institutit… Asnjëherë më parë nuk na është dashur t’i përgjigjemi një ngjarjeje të tillë. Nuk e kisha imagjinuar kurrë që fëmijët izraelitë do të gjendeshin të lidhur dhe të pushkatuar në shtretërit e tyre, kurrë nuk e imagjinoja që kaq shumë kufoma të lidhura dhe të djegura do të përfundonin të grumbulluara në Institutin e Shkencave Ligjore dhe kurrë nuk e kisha imagjinuar se do të shihja fotografi të kriminelëve , vrasës serialë, monstra që festojnë aktet e tyre vrasëse kundër nesh”, u shpreh Nurit Bobalit

Të paktën 1,400 izraelitë humbën jetën në sulmin e nisur nga Hamasi më 7 tetor 2023, nga toka, deti dhe ajri në disa lokacione pranë Rripit të Gazës. Sipas të dhënave të fundit, më shumë se 200 persona janë ende në robëri nga organizata terroriste.

FOTO GALERI
2/4

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA