Bashkimi Evropian ka riaktivizuar mbështetjen për projektin rrugor Muriqan-Lezhë pjesë e korridorit adriatiko-jonian.
Janë 41 km rrugë, autostradë e tipit A me shpejtësi 120 km/h, me dy korsi nga të dyja krahët. Gjithashtu do të ndërtohen edhe 24 km rrugë dytësore për të lidhur rrugët rurale. Vlera totale e projektit shkon në 255 milion euro.
Sipas te dhënave, BERZH parashikon të financojë një kredi të butë me 138 milionë euro, ndërsa qeveria shqiptare ka aplikuar për grante në vlerë 100 milion euro. 30 milionë euro të tjera do të vijnë nga buxheti. Afati final për përfundimin e saj është përcaktuar viti 2029.
Në vitin 2020 BE akordoi një grant 1.6 milion euro për studimin e një projekti paraprak dhe ndikimin mjedisor.
Rruga adriatiko-joniane është pjesë kryesore e rrjetit evropian TEN-T. Ajo fillon nga Trieste në Itali dhe kalon në Kroaci, Malin e Zi dhe Shqipëri, për të përfunduar në Kalamata të Greqisë. Në territorin e saj Shqipëria parashikohet të ndërtojë vetëm 256 km rrugë.
Pjesa të tjera të këtij korridori që përfundon në Kakavijë janë dhënë me koncesion dhe do të bëhen me pagesë, ku më i fundit është miratuar fituesi i Kashar -Lekaj, ndërsa më herët fituesi i Lekaj- Fier.
Top Channel