Ukraina e shqetësuar: Perëndimi po lodhet nga lufta jonë!

21/10/2023 08:33

Lufta e zgjatur e Ukrainës po sjell pasoja shqetësuese për lidershipin e vendit.

Perëndimi po jep shenja lodhjeje, e vëmendja për konfliktin atje po bie. Kievi i druhet një braktisjeje çka do ta vështirësonte së tepërmi betejën e tij përballë Rusisë. Edhe pse presidenti i SHBA, Joe Biden premtoi ta mbështesë Ukrainën “për aq kohë sa është e nevojshme” dhe kancelari gjerman Olaf Scholz i bëri jehonë kësaj deklarate, që nga sulmi terrorist i Hamasve kundër Izraelit më 7 tetor, është shfaqur një krizë e re ndërkombëtare mbi të cilën është spostuar fokusi i opinionit publik global. Dhe konflikti në Lindjen e Mesme mund të lidhë burimet e atyre që mbështesin veçanërisht Ukrainën, për shembull, SHBA.

Nga kjo do të përfitonte Rusia. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenski së fundmi u bëri thirrje vendeve të NATO-s që të mos e ndërpresin mbështetjen e tyre, duke deklaruar se Rusia do të përpiqet të shfrytëzojë situatën në Lindjen e Mesme. Biden u përpoq të garantonte se SHBA mund t’i përballojë të dyja krizat njëkohësisht.

Por kreu i Shtëpisë së Bardhë përballet me një rezistencë të fortë të republikanëve në vend, të cilët duan reduktimin e ndihmës për Ukrainën. Në çdo rast, me kaosin që mbretëron aktualisht në Kongres, për momentin, nuk do të ketë para të reja për këtë vend.

Top Channel