Franca dhe Gjermania kritika Izraelit: Megjithëse kanë të drejtë për vetëmbrojtje, ata duhet të mbrojnë edhe civilët

21/10/2023 18:46

Ministrat e jashtëm të Francës dhe Gjermanisë thanë të shtunën se megjithëse Izraeli ka të drejtën e vetëmbrojtjes, ai gjithashtu ka një përgjegjësi për të mbrojtur popullsinë civile të Gazës.

Në një fjalim drejtuar liderëve në samitin e paqes në Kajro, Ministrja e Jashtme gjermane Annalena Baerbock theksoi se Hamasi mban përgjegjësinë përfundimtare për “vuajtjet e këtyre javëve të fundit”.

“Ishte Hamasi ai që solli terror të tmerrshëm mbi Izraelin më 7 tetor duke kryer krime mizore. Si çdo vend tjetër në botë, Izraeli ka të drejtë të mbrojë veten dhe të mbrojë popullin e tij kundër këtij terrori brenda kornizës së ligjit ndërkombëtar”- tha Baerbock, ndërsa paralajmëroi se kjo “luftë kundër Hamasit duhet të kryhet me konsideratën më të madhe të mundshme për situatën humanitare për burrat, gratë dhe fëmijët e pafajshëm në Gaza”.

Ministrja e Jashtme e Francës, Catherine Colonna përsëriti gjithashtu se “asgjë nuk e justifikon terrorizmin. Përballë terrorizmit, Izraeli ka të drejtë të mbrohet.”

Izraeli, në përgjigjen e tij legjitime ndaj sulmit terrorist që ishte viktimë, duhet të mbrojë popullsinë civile në përputhje me ligjin humanitar”, vazhdoi Colonna.

Franca “dënon veprimet e Hamasit dhe vazhdon të mbështesë të drejtat e popullit palestinez siç kemi bërë gjithmonë,” vuri në dukje Colonna, duke shtuar se Franca së shpejti do të dërgojë 10 milionë euro shtesë ndihmë për palestinezët.

Top Channel