Godinat e dëmtuara janë kthyer në rrezik për qytetarët që rëndom kalojnë poshtë tyre.

Fare pranë qendrës administrative të qytetit të Durrësit, në bulevardin “Dyrrah” ndodhet edhe ish-godina e Hetuesisë nga e cila së fundmi janë shkëputur pjesë të fasadës duke përfunduar në trotuar dhe rrugë.

Fatmirësisht nuk ka pasur persona të lënduar, po rreziku i sigurisë së kalimtarëve të shumtë, vendas dhe turistë të huaj, është i madh.

Jo vetëm në këtë godinë, por dhe në objekte të tjera të dëmtuara nga tërmeti i vitit 2019 dhe të amortizuara nga koha të cilat janë lënë në mëshirë të fatit dhe pa një perimetër sigurie që të paralajmërojë qytetarët për rrezikun që u kanoset nga kalimi poshtë tyre.

Pas shkëputjes së një pjese të suvasë nga fasada e godinës së amortizuar, Policia Bashkiake e Durrësit vendosi shiritin e sigurisë për të shmangur incidentet e mundshme, ndërsa po punohet me mjetet dhe punonjësit e bashkisë për të hequr nga fasada pjesë të tjera që rrezikojnë të shkëputen prej saj.

Por ky nuk është objekti i vetëm që kërkon ndërhyrje pasi paraqet rrezik për shëndetin dhe jetën e qytetarëve.

Top Channel