Qëllimi kryesor i vizitës së Joe Bidenit në Izrael ishte, përpos demonstrimit të mbështetjes së palëkundur të SHBA-së për shtetin hebre, edhe parandalimi i shtrirjes së konfliktit mes Izraelit dhe Hamasit edhe më gjerë në rajon.

Por për ekspertë si Dahlia Scheindlin, nga Tel Avivi, edhe pse ndalesa e shefit të Shtëpisë së Bardhë ishte tejet e rëndësishme për moralin e izraelitëve, rreziku i përshkallëzimit në Lindjen e Mesme, mbetet i lartë.

“Nuk ka dyshim se izraelitët e shohin si gjest të madh solidariteti”, tha Scheindlin për VOA-n. “Ata po kalojnë nëpër tronditjen më të madhe në historinë e shtetit, po ndihen të dërmuar dhe në gjendje lufte, ndaj vizita e Presidentit Biden është një përkrahje e madhe morale dhe e bën Kryeministrin Netanyahu, që ka qenë shumë i kritikuar në Izrael, të shihet tani si një burrështeti i rëndësishëm.

Edhe pse jo plotësisht e paprecedent, është gjithsesi e pazakontë, që një president amerikan të ndërmarrë një vizitë të tillë në një zonë aktive lufte brenda një afati të shkurtë. Pra, është shumë kuptimplotë, u shpreh ajo. Por ndërsa përmendi dërgimin e armatimeve amerikane në rajon, ekspertja nënvizoi se ka opinione të ndara nëse një demonstrim i tillë nga Shtetet e Bashkuara në rajon, do ta parandalojë, apo do të inkurajojë përshkallëzimin.

Të martën, luftanije shtesë u nisën drejt Izraelit, ndërsa SHBA ka vene ne dispozicion 2000 trupa. Një aeroplanmbajtëse amerikane dhe flota e saj detare janë vendosur tashmë në lindje të Detit Mesdhe, ndërsa një tjetër është rrugës për atje. Për më tepër, tre luftanije të marinës amerikane janë nisur drejt Mesdheut. Dhjetëra avionë luftarakë janë dërguar nëpër bazat ushtarake amerikane rreth Lindjes së Mesme, ndërsa forcat amerikane për operacione speciale po punojnë me Ushtrinë e Izraelit në planifikim dhe inteligjencë.

Top Channel