Ashtu sikurse Top Channel raportoi ekskluzivisht dy ditë më parë, kryebashkiaku i Rrogozhinës, Edison Memolla është nën hetim nga Prokuroria e Posaçme Anti Korrupsion.
Këtë të enjte, Memolla u paraqit në SPAK. I pyetur nga Top Channel, ai nuk pranoi të tregojë për çfarë dëshmoi sot.
Gazetarja Anila Hoxha raportoi më herët se Memolla po hetohet pas denoncimeve se ka abuzuar me tenderat e pastrimit të qytetit, por edhe se kanë firmosur dëmshpërblime mbi dëmtimet e banesave nga tërmeti.
Prokuroria e Posaçme ka urdhëruar sekuestrimin e dokumenteve mbi procedurën e ndjekur për tenderat dhe për dëmshpërblimet.
Nën hetim nga SPAK mësohet se është edhe kryetari i Bashkisë së Kamzës Rakip Suli, që po ashtu dyshohet se ka abuzuar me tenderat.
Disa kryebashkiakë dhe ish-kryebashkiakë përfunduan të pandehur gjatë këtij viti sidomos për tenderat, si të denoncuar jo vetëm nga KLSH-ja por edhe të referuar nga prokuroritë e zakonshme që ja përcollën kompetencën SPAK.
Top Channel