Presidenti i Francës Emmanuele Macron për herë të parë vizitoi Shqipërinë.

Vizitë kjo e para që një president francez zhvillon pavarësisht 101 viteve marrëdhënie diplomatike mes dy vendeve. Vizita e Macron zgjati dy ditë. Ai zhvilloi një sërë takimesh të rëndësishme gjatë qëndrimit, ndërsa kryeministri Edi Rama e cilësoi vizitën e tij si historike.

Kreu i qeverisë ndau në rrjetet sociale një video përmbledhëse nga vizita e Macron, duke nisur që nga mbrëmja në pallatin e brigadave ku u dekorua shkrimtari Ismali Kadare e deri tek vizita në Kryeministri.  Rama tha se kjo vizitë i hapi rrugë një sërë projekteve të reja me rëndësi në zhvillimin ekonomik dhe atë arsimor dhe kulturor për Shqipërinë.

“Mirëmëngjesi dhe me këtë kronikë të vizitës historike të Presidentit të Francës në Shqipëri, e para në 101 vjet marrëdhënie diplomatike mes të dy vendeve, e cila i hapi rrugën një sërë projektesh të reja me rëndësi për zhvillimin ekonomik, arsimor e kulturor për Shqipërinë, si edhe një bashkëpunimi të afërt politik, për afrimin e Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Europian, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan Rama.

Gjatë vizitës dy vendet nënshkruan një sërë marrëveshjesh me qëllim rritjen e bashkëpunimit në fusha të ndryshme.

Top Channel