“Gërdeci” gjyqi për Mediun! Dëshmitarë në gjyq të afërmit e viktimave: E vështirë të rikujtosh ato që ke përjetuar

18/10/2023 19:00

Si dy ish demontuese predhash në Gërdec  Alketa dhe Mirela Hazizi sot punonjëse në një fasoneri, e dinë më shumë se kushdo çdo të thotë të shohësh vdekjen me sy.

Të djegura rëndë nga shpërthimi i 15 marsit 2008, të dyja gratë ishin thirrur në Gjykatën e Posaçme për të dëshmuar më tepër mbi kushtet në fabrikën e municioneve se sa për mbijetesën.

Me gjithë 15 vitet qe kanë kaluar ish punonjëset nuk kishin harruar flakët gjigante që shpërthyen atë ditë, kompaninë private që i punësoi pa kontratë dhe pa kushte dhe ushtrinë që transportonte municione.

Por në këtë proces ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes, rrëfimi i dy të mbijetuarave ishte në fakt një përsëritje e një gjykimi të mëparshëm jo vetëm ndaj ushtrisë dhe një sërë të akuzuarish, por edhe “Albademil” të shpallur fajtorë atë kohë.

“Është shumë e vështirë, se do të rikujtosh ato që ke përjetuar. Po vrapoja në fabrikë dhe kam shkelur mbi vëllanë e Delive, Jetmir Deliun“, tha Alketa Hazizaj ish punonjësve në fabrikë.

“Punë e rëndë ishte sidomos për ne gratë, ishte me pesha të rënda, aq më keq ne që s’ia kishim idenë fare, se unë tek predhat kam punuar, tani jam në fasoneri”, tha Mirela Hazizaj ish punonjëse në fabrikë.

Pyetjet e prokurorit për vatrën e flakëve dhe nëse e kishin parë apo jo karrocën e salduar ishin një parathënie për t’i paraprirë   qëndrimit që do të ketë mbrojtja e cila po këmbëngul tek eksperimenti dhe pyetja e eksperteve amerikanë, duke nënkuptuar se Gërdeci nuk ndodhi nga saldimi i mjetit të transportit të barutit. Por përballë kërkesave që po u rrëzohen avokatët ishin të drejtpërdrejtë me pyetjen: A e keni parë Fatmir Mediun në fabrikë? Përgjigjja e të gjithë dëshmitarëve ishte “jo” . 

Gjithashtu dëshmitare në proces, Zamira Durda, nëna e Erisonit të vrarë, e konsideroi shpërthimin e Gërdecit si krim shtetëror.

“Nuk kam asgjë personale me Fatmir Mediun”, tha Durda, “por me institucionin që ai drejtonte”. Ushtria shqiptare na solli fabrikën në mes të fshatit dhe na vranë, akuzoi Zamira e cila kërkoi që gjykata të thërrasë gjithë kupolën shtetërore të asaj kohe.

Duke treguar dy fletoret  e shkollës së fëmijës, Durda i sugjeroi  gjykatës që ta zbardhë vendimin në fletët që fëmija e saj nuk i shkroi  dot.

Të 11 dëshmitarët rrëfyen se si humbën familjarë në Gërdec se si shpëtuan atë ditë , rrëfyen se në çfarë kushtesh demontoheshin municionet dhe se si vijojnë të presin drejtësi.  Por asnjëri prej tyre nuk ishte në gjendje të tregonte se ku e shpërdoroi detyrën Fatmir Mediu.

Këtë SPAK thotë se do ta provojë me dëshmitarët e tjerë, midis tyre ish ushtarakë të dënuar e të tjerë të shpallur të pafajshëm.

Top Channel