Çfarë kërkon të arrijë Biden me udhëtimin në Izrael në kohë lufte?

17/10/2023 21:10

U desh një angazhim i qartë nga homologu i tij izraelit për të hapur Gazën për ndihmë humanitare që presidenti Joe Biden të pranonte zhvillimin e një udhëtimi të jashtëzakonshëm në kohë lufte në Tel Aviv.

Udhëtimi do të jetë një shfaqje dramatike e mbështetjes për Izraelin, dhe përgatit përgjigjen e tij ndaj sulmeve të Hamasit të javës së kaluar. Ai do të veprojë gjithashtu si shtytja më e fortë e Biden për lehtësimin e vuajtjeve të civilëve dhe lejimin e atyre që duan të largohen nga Gaza, jashtë.

Diplomacia e nivelit të lartë me kryeministrin Benjamin Netanyahu, bashkëbiseduesin e tij prej katër dekadash, nënvizon ekuilibrin delikat që Biden po arrin, teksa nis një vizitë të minutës së fundit në zonën e luftës gjatë orëve të vona të të martës mbrëma.

Në rrezik janë jetët e miliona civilëve, përfshirë amerikanët, të bllokuar aktualisht në enklavën bregdetare palestineze, ku një krizë humanitare është duke u zhvilluar ndërsa trupat izraelite grumbullohen në kufijtë e saj përpara një pushtimi tokësor të pritshëm.

Ndërsa nuk kishte asnjë kusht të qartë nga SHBA që Izraeli të mos nisë pushtimin e tij derisa Biden të largohet nga rajoni, ky është mirëkuptimi i arritur me zyrtarët amerikanë, të cilët kanë kaluar ditët e fundit duke debatuar dhe planifikuar vizitën e presidentit, thanë për CNN njerëz të njohur me këtë çështje.

Zyrtarët amerikanë duan që planet humanitare për Gazën të nënshkruhen plotësisht dhe të zbatohen përpara fillimit të pushtimit, thanë burime për CNN, duke e përshkruar këtë detyrë si ndër objektivat kryesore të Bidenit gjatë vizitës së tij në Tel Aviv të mërkurën.

Ndërkohë që Biden nuk ka inkurajuar një armëpushim, ai ka lëshuar vazhdimisht paralajmërime më të forta për mbrojtjen e jetës civile, përfshirë gjatë bisedave të tij telefonike me Netanyahun. Udhëtimi personalisht drejt Izraelit mund t’i ofrojë Bidenit – i cili i përbuz thirrjet e Zoom-it dhe ka përkrahur prej kohësh rëndësinë e takimeve ballë për ballë – një mundësi më të mirë për t’ia përcjellë ato pikëpamje homologut të tij izraelit, një lider me të cilin ai beson se ka një mirëkuptim të thellë.

Në fund të fundit, Biden dhe këshilltarët e tij të lartë besojnë se duhet të jenë në të njëjtën dhomë me Netanyahun për të pasur ndikim te kryeministri dhe ekipi i tij – duke kërkuar mbështetje të qartë për të drejtën e Izraelit për të mbrojtur veten dhe eliminuar Hamasin.

Por ata janë gjithashtu të vetëdijshëm se mbështetja publike për Izraelin nuk do të zgjasë përgjithmonë, veçanërisht nëse civilët në Gaza mbajnë barrën e përgjigjes së Izraelit ndaj sulmeve të Hamasit. Ky është një qëndrim që një zyrtar e quajti një përpjekje për t’i “përqafuar ata afër” për të vazhduar punën krah për krah gjatë asaj që pritet të jetë një periudhë shumë e vështirë.

Top Channel