Forumit të udhëheqësve të Procesit të Berlinit, i parapriu Forumi Shoqërisë Civile nga 6 vendet e Ballkanit Perëndimor.

Që prej krijimit të Procesit të Berlinit në vitin 2014 prej kancelares Merkel, shoqëria civile është inkuadruar si një pjesë e rëndësishme e kësaj inciative. Qasja në tregun e përbashkët europian, politikat e zgjerimit, ndërlidhja dhe digjitalizimi, klima përmes axhendës së gjelbër, siguria gjeopolitike dhe energjia ishin në fokus të diskutimeve në këtë forum të shoqërisë civile në Tiranë.

“Një prej shtyllave kryesore të procesit të Berlinit është ndërlidhja mes njerëzve dhe ekonomive e kështu të arrihet rritja ekonomike bashkë me kohezionin social në Rajon. E në këtë pikë roli i shoqërisë civile është vendimtar. Si pasojë e luftës në Ukrainë, integrimi i Ballkanit Perëndimor në BE është përfshirë në një moment të ri. Është koha ta përkthejmë këtë moment të ri në angazhime politike”, tha Igli Hasani, ministër i Punëve të Jashtme.

“Me Procesin e Berlinit ne mund të realizojmë ndryshimin e jetës së njerëzve të cilët me të drejtë pyesin, se çfarë mund të ndryshojë në jetën e tyre të përditshme BE-ja. Pas asaj çfarë ka arritur në këto 9 vite procesi Berlinit, ne duhet të çojmë përpara çështjet, që lidhen me tregun e përbashkët. Kjo nuk është thjesht një detyrë e politikanëve por edhe e shoqërisë civile në konsolidimin e politikave dhe përpjekjeve të qeverive të vendeve në rajon”, tha Michael Reiffensuel, drejtor i Ballkanit Perëndimor.

“Ndihma financiare prej BE-s në rajon asnjëherë nuk është e mjaftueshme. Në samitin digjital na u premtua se kur ne do nisnim në rajon të flisnim në një ‘roming’ të përbashkët atëherë do të ishte dita e parë kur do të nisnim negociatat për ta bërë këtë edhe me vendet e BE-s. Ky është një shembull i mirë, tregon se kur arrihet një rezultat në shtëpinë tonë mes nesh, ky rezultat reflektohet në politik-bërjen e BE-së apo drejt një tregu të vetëm”, tha Majlinda Bregu, Sekretare e Përgjithshme e Këshilit të Bashkëpunimit Rajonal.

Në deklaratën e përbashkët të këtij forumi të shoqërisë civile nga gjashtë vende të rajonit kërkohet “një proces transparent për zgjerimin e BE-s, më shumë vëmendje tek sfidat rajonale të sigurisë përfshi rritjen e suportit financiar nga BE për 6 vendet e Ballkanit Perëndimor.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA