Mijëra myslimanë, protesta kundër Izraelit: SHBA shton masat e sigurisë

14/10/2023 08:22

Me mijëra vetë kanë dalë në protesta në vendet e Lindjes së Mesme, por edhe në SHBA e Europë.

Në kryeqytetin e Iranit, Teheran demonstruesit valëvisnin flamuj të palestinezëve dhe të Hisbollahut. Shumë të tjerë mbanin pankarta me parrulla si: “Poshtë Amerika” dhe “Poshtë Izraeli”. Në Jordani dhe në Irak gjithashtu njerëzit mbushën rrugët për të treguar solidaritet me palestinezët. Në sheshin qendror Tahrir në Bagdad demonstruesit shkelnin me këmbë një flamur izraelit të hedhur përdhe. Shumë prej tyre thërrisnin slogane: “Jo pushtimit! Jo Amerikës!” Për protestën bëri thirrje udhëheqësi radikal irakian shiit Muktada al-Sadr. Pamje të ngjashme mbërrijnë edhe nga Afganistani e Pakistani.

“Ne po protestojmë për të zgjuar ndjenjën e nderit në mesin e kombeve myslimane. I bëjmë thirrje atyre të bashkohen me palestinezët e të mos lejojnë që mizoria të përplaset mbi njerëzit e thjeshtë. Ta ndalojmë bombardimin e civilëve dhe martirizimin e myslimanëve”, shprehet Muftiu Muhammad Qasim, Tehreek Labbaik Pakistan

Agjencitë amerikane të zbatimit të ligjit i shtuan masat e sigurisë të premten për të mbrojtur komunitetet hebraike dhe myslimane mes protestave globale lidhur me konfliktin izraelito-palestinez, ndërsa mijëra demonstrues pro-palestinezë mbushën rrugët e Nju Jorkut.

Turma njerëzish u mblodhën pranë sheshit Times Square në Manhattan, duke kërkuar pavarësinë e territoreve palestineze dhe duke dënuar kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu ndërsa qeveria e tij intensifikoi sulmet në Rripin e Gazës në hakmarrje ndaj dhunës së luftëtarëve te Hamasit në Izrael. Shumë nga protestuesit mbanin maska për të fshehur identitetin e tyre, për siç thanë ata, për të mbrojtur sigurinë e tyre. Protesta pati edhe në disa qytete europiane si Athinë e Romë.

 “Nuk ka justifikim për sulmin e Hamasit, por Hamasi nuk është Palestina. Palestina janë fëmijët që u bombarduan e vdiqën mes rrënojave”, tha Leonardo Khairallah.

Në disa shtete europiane autoritete e sigurisë vërejnë ndërkaq rrezik në rritje për manifestime antisemitiste dhe incidente të dhunshme. Enti Federal i Kriminalistikës (BKA) sipas një raporti të brendshëm mbi gjendjen parashikon se mund të ketë valë protestash kundër “institucioneve hebreje dhe sinagogave” në Gjermani.

Në Francë pavarësisht ndalimit mijëra vetë morën pjesë në një demonstratë pro-palestineze në Paris, ku policia përdori gazin lotsjellës dhe pompat e ujit për shpërndarjen turmës. Në Rennes, Tuluzë dhe Lille u zhvilluan gjithashtu manifestime solidariteti.  Të paktën dhjetë vetë janë ndaluar në rajonet e policisë.

Top Channel