Sot Shqipëri-Çeki, vjen paralajmërimi: Nëse hidhen flakadanë, ndeshja tjetër pa tifozë

12/10/2023 09:31

Kur na ndajnë pak orë nga ndeshja e futbollit mes Shqipërisë dhe Çekisë, ministri i Brendshëm, Taulant Balla zhvilloi një takim me drejtuesit e Federatës Shqiptare të Futbollit dhe drejtues të lartë të Policisë së Shtetit.

Ministri Balla kërkoi të mos ketë asnjë tolerim që mund të cenojë sigurinë e ndeshjes.

“Janë disa problematika që duhet t’i ndajmë me publikun, duke nisur nga kontrolli i biletave që do të bëhet pa hyrë në stadium, kur bëhet kontrolli fizik edhe kontrolli me pajisje e cila verifikon vlefshmërinë e biletës. Policia ka marrë masat për të luftuar falsifikimin e biletave dhe kushdo që do tentojë do të ndiqet nga policia dhe prokuroria”, u shpreh Balla.

Ministri tha se, edhe nëse ka një rast, me flakadan në stadium publiku duhet të kuptojë se ndeshja e radhës në 20 nëntor, do zhvillohet në gjysmë apo fare pa tifozë.

“Kush do që t’i bëjë dëm Kombëtares Kuqezi, do jetë ai që vjen me flakadan, ndaj ne do jemi të përgatitur që të reagojmë fort. Nuk mund të dëmtojmë ëndrrën për të shkuar për herë të dytë në Evropian me veprime keqdashëse, sepse ato veprime nuk janë më tifozeri, por veprime keqdashëse”, ishte mesazhi i ministrit Balla.

Balla shtoi se në këtë ndeshje do ketë një numër rekord punonjësish policie të angazhuar për sigurinë dhe një mesazh për të gjithë tifozët.

“Për të gjithë sportdashësit dua të përsëris thirrjen për të mos tentuar të hyjnë me lëndë piroteknike, të cilat sjellin dëmtime të imazhit të vendit”, theksoi ai.

Kreu i FSHF, Armand Duka u shpreh se qoftë policia apo Federata nuk mund tja dalë pa bashkëpunimin e atyre që do jenë në stadium.

“Uroj të jetë festë me rezultat”, theksoi Duka.

Top Channel