Bëri bujë me skenën e tij në “Në Kuadër të Dashurisë”, Salsano: Përpiqesha që të mos dukej e tepruar

11/10/2023 11:43

Salsano Rrapi një nga aktorët e kastit të filmit “Në Kuadër të Dashurisë”, ka qenë në një intervistë në “Wake Up”, për të treguar emocionet dhe eksperiencën e tij në prodhimin e parë filmik të Top Channel Films.

Ai është një ndër aktorët më të përfolur për një skenë pikante në film, e pazakontë, por që të bën të qeshësh pafund.

Salsano Rrapi: Unë u kënaqa, e shijova, qesha sepse nuk e kisha parë filmin, e dija skenarin, por kisha realizuar pjesët e mia dhe të gjithë ata që ishin pjesë të filmit nuk e kishin parë në fakt.

Blendi Salaj: Atë po mendoja që Ndriçim Xhepa as nuk e di që personazhi i tij ka një jetë pas vdekjes, personazhi i tij rilind pas vdekjes (qesh).

Salsano Rrapi: Nëse ka ndonjë gjë edhe shqetësuese gjatë xhirimeve, por edhe vlerësuese, ka qenë sepse Ndriçmit iu desh të rinte dy ditë në arkivol, për të xhiruar atë skenë të filmit, sepse mund ta kishim bërë edhe me një manekin, por ai e pranoi si profesionist i mirë që është, që në kohën që luhej për çdo gjë tjetër, ai duhej të ishte në arkivol.

Blendi Salaj: Ai nuk ishte aty për skenën e zezë? (*bëhet fjalë për një skenë ku Salsano në rolin e Enos “i pret” organin gjenital Ndriçim Xhepës në rolin e Nikut, babait të Olta Gixharit).

Salsano Rrapi: Aty ishte (qesh).

Blendi Salaj: Ne po flisnim me Salsanon edhe unë nuk e dija se çfarë ishte, dhe ata nuk e zbuluan por më thanë që prit dhe do të shikosh që personazhi im bën diçka që shkon përtej asaj që mund të ishte e pranueshme në shoqëri.

Salsano Rrapi ka treguar që për skenën më pikante të filmit që ishte “skena e zezë”, ka bërë katër dubla dhe se ishte zgjedhur dubla e dytë apo e tretë.

Sipas tij për realizimin e kësaj skene, ruheshin që të mos ishte banale apo e tepruar, por ishte diçka e këndshme për situatat e krijuara deri në atë moment.

Top Channel