Veliaj vizitë në Kanada/ Kryebashkiaku i Tiranës takime me komunitetin shqiptar  

10/10/2023 15:40

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka nisur një vizitë zyrtare dy ditore në Otava të Kanadasë, ku zhvilloi dhe një takim me komunitetin shqiptar.

Veliaj tha se marrëdhëniet mes Kanadasë dhe Shqipërisë sot janë në ditët më të mira.

“Unë nuk besoj se kemi pasur ditë më të mira të marrëdhënieve shqiptaro-kanadeze dhe pavarësisht sportit kombëtar për t’u ankuar, duhet gjithashtu të jemi pak reflektues për të kuptuar se ne shqiptarët sot jetojmë ditët tona më të mira”.

Po ashtu kryebashkiaku  theksoi faktin se mes shqiptarëve duhet të ketë vetëm bashkim, sepse kemi një rrënjë.

“Kam frikë se, në disa rrethe në internet, është normalizuar disi me qenë kundër Tiranës, apo kundër Amerikës dhe Europës; me demek kundër ‘kolonizatorëve’, që mund të jenë Tirana, Brukseli, ose Uashingtoni. Por, kjo është një modë shumë e rrezikshme. Unë mundohem të flas me kryetarët e bashkive në Maqedoninë e Veriut, me kryetarët e bashkive në Kosovë, por kjo modë duhet dekurajuar. Shikoni pak se çfarë ndodhi në Izrael. Mund të jesh fuqia më e madhe teknologjike në Mesdhe, por kërkon gjithmonë aleancë. Kurse ne aleatët i kemi natyralë. Ne në çdo anë të kufirit kemi shqiptarë të tjerë. Të kthehet në modë mes shqiptarëve me shajt njëri-tjetrin, me i gjet cene njëri-tjetrit, është një sport shumë i rrezikshëm. Shpresoj shumë që ky bashkim dhe kjo vëllazëri që kemi këtu, të jetë frymëzim për të gjithë shqiptarët kudo që janë”.

Pas vizitës në Otava, ku pritet të takohet edhe me kryebashkiakun e qytetit, Veliaj do të marrë pjesë në Forumin Urban Botëror në Toronto.

Top Channel