Tentoi të dilte nga Shqipëria me pasaportë të falsifikuar, vihet në pranga 45-vjeçari nga Maqedonia e Veriut në kërkim për vrasje

10/10/2023 10:17

Një 45-vjeçar nga Maqedonia e Veriut ka rënë në prangat e policisë, pasi tentoi të kalonte në Portin e Durrësit me pasaportë të falsifikuar.

Pas verifikimeve të thelluara nga Policia Kufitare, 45-vjeçari rezultoi i shpallur në kërkim nga autoritetet e RMV-së për vrasje.

Si rezultat i bashkëpunimit ndërmjet Policisë Kufitare të portit të Durrësit dhe Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, si dhe shkëmbimit të informacioneve ndërmjet Interpol Tiranës, Interpol Shkupit dhe Interpol Beogradit, u ndalua dhe u vu në pranga, me qëllim ekstradimin drejt Maqedonisë së Veriut, shtetasi D. S. alias D. I., 45 vjeç, banues në Maqedoninë e Veriut.

Ai ka tentuar të dalë nga Republika e Shqipërisë dhe t’u shmanget autoriteteve, duke përdorur një pasaportë me ngjashmëri, të një shtetasi nga Serbia, me rekorde kriminale. Pas verifikimeve të thelluara të kryera nga Policia, në bashkëpunim me Interpol Tiranën, ka rezultuar se ishte i shpallur në kërkim nga autoritetet e RMV-së, pasi Zyra e Prokurorisë i kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Vrasja”, parashikuar nga Kodi Penal i këtij shteti.

Sipas policisë, Interpol Tirana në bashkëpunim me homologët vijon procedurat për ekstradimin e 45-vjeçarit.

Top Channel