Ping pong me kërkesën e Belerit për betim.
Gjykata e Durrësit vendos moskompetencë dhe ia kalon për të vlerësuar Gjykatës së Lartë se cila gjykatë është kompetente për shqyrtimin e kësaj kërkese.
Ambasadorja e Greqisë në vendin tonë, Kostandina Kamitsi ndoqi seancën e Belerit që u mbajt në gjykatën e Durrësit.
Ndërsa ndodhet në burg, Beleri kërkon leje për të bërë betimin si kryebashkiak i zgjedhur i Himarës.
Kujtojmë se një ditë më parë, dy gjyqtarë të Durrësit kanë hequr dorë nga gjykimi i çështjes Beleri, e kthyer që nga muaji maj në një çështje me interes të lartë publik dhe diplomatik në marrëdhëniet mes vendit tonë dhe Greqisë.
Prej 22 shtatorit, kërkesa e Belerit për leje për t’u betuar si kryebashkiak i Himarës i kaloi gjykatës së Durrësit për moskompetencë nga Gjykata e Posaçme për Korrupsion dhe Krim të Organizuar.
Që prej 12 majit Fredi Beleri ndodhet në burg nën akuzën korrupsion aktiv në zgjedhje, pasi dyshihet se ka blerë vota në zgjedhjet lokale të 14 majit.
Të nderuar,
Në përgjigje të interest të shprehur dhe të e-maileve tuaja, drejtuar Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës me nëpërmjet së cilës, në bazë të Ligjit Nr. 119/2014 “Për të Drejtën e Informimit”, në kuadër të informimit për çështje që konsiderohen me interes publik, lidhur me çështjen penale me kërkues shtetasin Dhionisios Alfred Beleri, parashtrojmë si më poshtë:
Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës është depozituar Kërkesa Penale me Nr. 561 Akti, datë 22.09.2023 regjistrimi, me objekt “Kundërshtimin e aktit Nr. 1938 prot. datë 08.09.2023, njoftuar me datë 11.09.2023, pranimin e kërkesës për dhënie leje/autorizim të veçantë.”, me kërkues shtetasin Dhionisios Alfred Beleri dhe palë të interesuara Institucioni për Ekzekutimin e Vendimeve Penale Durrës, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve Tiranë, Prokuroia e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Kjo çështe u shqyrtua nga trupi gjykues Znj. Entela Shedula, ku në përfundim, Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës vendosi:
1. Të parashtrojë përpara Gjykatës së Lartë mosmarrëveshjen e kompetencës lëndore për gjykimin e kërkesës penale Nr.71029-02531-11-2023/561 regjistri themeltar, datë regjistrimi 22.09.2023, me objekt: Kundërshtimin e aktit Nr. 1938prot, datë 08.09.2023, njoftuar me datë 11.09.2023, pranimin e kërkesës për dhënie leje/autorizimi të vecantë,
2. Dërgimin e kopjes së akteve Gjykatës së Lartë.
3. Një kopje e vendimit do t’i dërgohet për njoftim Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
(VO: Sjellim në vëmendjen tuaj se krahas të drejtës për informim, të dhënat e mësipërme, veçanërisht për nga karakteri që bartin, ndër të tjera, janë edhe objekt i Ligjit Nr. 9887, datë 10.03.2008 “Për mbrojtjen e të dhënave personale” (I ndryshuar) ku çdo abuzim me të dhënat që përmbajnë këto manteriale passjell përgjegjësi sipas ligjit. Për këtë shkak, kërkohet që përveç zbatimit të legjislacionit në fuqi të tregohet kujdes i shtuar nga subjektet që disponojnë të dhënat në fjalë.)
Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, shpreh gatishmërinë maksimale në kuadër të bashkëpunimit me Median, si dhe mbetemi të gatshëm për çdo sqarim apo eventualitet të mundshëm.
Duke ju falënderuar për mirëkuptimin,
ZMP
Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës
Top Channel