Pediatria ka mungesë të ilaçit të kimioterapisë për fëmijët, prindërit e blejnë nën dorë në farmaci/ QSUT: Medikamenti nuk ka qenë në mungesë

10/10/2023 20:40

Në Pediatrinë e QSUT-së mungon Vincristina, ilaçi që parandalon qelizat kancerogjene te fëmijët me tumor.

Prindërit e gjejnë atë nën dorë nëpër farmacitë afër QSUT-së edhe pse ky medikament është vetëm për përdorim spitalor. Ndërkohë nga ana tjetër  QSUT-ë shprehet se medikamenti nuk ka qenë mungesë. Atëherë si ka mundësi që në pavion thonë është në mungesë dhe fare lehtë mund ta blesh në farmacitë afër qendrës spitalore?

Fiksi pas informacionit se Vincristinë ishte në mungesë iu drejtua urgjencës së Pediatrisë në QSUT dhe u interesua për këtë medikament. Tek informacioni i thonë që medikamenti është në mungesë dhe e vetmja mundësi për ta siguruar ishte duke u drejtuar tek farmacitë rreth QSUT-së. Por bashkëpunëtorët e Fiksit kërkuan të takonin një mjek  dhe ashtu bën. Mjekja e turnit pohoi po të njëjtën gjë që Vincristinë ishte në mungesë  në spital , por mund ta siguronin atë në farmacitë jashtë edhe pse është medikament vetëm për përdorim spitalor.

Fiksi drejtohet pikërisht në  një nga farmacitë që iu tha se mund të gjendej. Farmacistja pohon se ka disponibilitet të medikamentit duke theksuar dhe ajo vetë me audio e video që illaçi është vetëm për përdorim spitalor. Ajo tregon se dispononte 10 injeksione nga 1 miligramë . Një flakon kushtonte 1mijë lekë dhe se duhej medoemos transportin e tyre ta bësh me ndonjë shishe me akull sepse duhet të ruhen në të ftohtë.

Fiksi iu drejtua kësaj farmacie edhe ditën tjetër duke kërkuar po të nëjjtin medikament e kësaj radhe për të blerë dy flakon. Në farmaci ishte prezente një tjetër farmaciste e cila u jep gazetarëve një tjetër çmim, pra 2 mijë lekë për flakon.  Kur gazetarët i thanë se kolegia e saj u kishte thënë tjetër çmim ajo e telefonon dhe më pas bie dakord ta shesë me 1 mijë lëkë flakonin. Fiksi interesohet se sa kanë gjendje nëse do u duhet përsëri medikamenti dhe farmacistja pa asnjë të keqe u jep një numër telefoni ku mund të bëjnë fare lehtë porosinë e tij.

Fiksi iu drejtua edhe me një shkresë zyrtare Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” ku kërkonte të dinte nëse medikamenti Vincristinë ishte në mungesë gjatë periudhës Qershor – Gusht 2023. QSUT në përgjigjen e tyre theksuan se medikamenti për periudhë  e sipërpërmendur nuk ka qenë në mungesë.  Pra ka patur gjendje dhe i është shpërndarë shërbimeve të Pediatrisë sipas kërkesave përkatëse. Nëse mëdikamenti nuk ka qenë në mungesë si shpjegohet që në Pediatri mungonte dhe po ky medikament me shërbim spitalor shitet nën dorë në farmacitë rreth QSUT-së?

FOTO GALERI
1/8

Top Channel