Premiera e filmit “Në kuadër të dashurisë”, i pari prodhim i Top Channel Films, u shfaq në pallatin e Kongreseve mbrëmjen e të hënës.
Filmi me protagonist kryesor, Luiz Ejllin dhe Olta Gixharin u prit mes emocioneve të shumta, ku një numër i madh njerëzish iu bashkuan pritjes në tapetin e kuq, aty ku yjet e kësaj premiere parakaluan njëri pas tjetrit, ndërsa bënë edhe fotografi me fansat e tyre.
E para që parakaloi në tapet ishte Sara Hoxha e cila në këtë komedi luan rolin e Arias, një surpizë duhet thënë e këtij filmi me interpretimin e saj. Dy aktorët protagonist të kësaj premiere ishin ata që mbyllën këtë pritje madhështore.
Fillimisht ajo që parakaloi në tapetin e kuq ishte Olta Gixhari, e cila theksoi se me këtë prodhim Top Channel ka nisur një etapë të re.
I fundit por jo më pak i rëndësishmi ishte Luiz Ejlli. Ai nënvizoi se ky film i përket publikut.
Në prezantimin e parë për publikun producenti Ledion Liço theksoi mbështetjen e marrë nga Top Channel për realizimin e ëndrrave dhe bërjen realitet të këtij projekti të madh. Dhe këtu ai ka të drejtë, sepse nuk ishte vetëm filmi i tyre. Ishte filmi i Ndriçim Xhepës, Zamira Kitës, Luan Jahas, Ylber Bardhit, Olta Dakut, Sara Hoxhës, Roerd Toçes, Klodiana Kecos, Dea Mishelit, Besmir Bitrakut etj.
Ndaj publiku nuk duhet ta humbasë filmin “Në kuadër të dashurisë” mbi të gjitha, për larminë e karaktereve, për skenarin, humorin fin, satirën dhe sidomos për artin e komedisë.
Ashtu siç pritej filmi pretoi shumë të qeshura.
Ndërkohë projekte të tjera pritet të realizohen nga Top Channel Films.
Filmi do të vazhdojë të shfaqet edhe në datat 10 dhe 11 tetor dhe biletat mund ti gjeni pranë Pallatit të Kongreseve por edhe në films.top-channel.tv
Top Channel