Vetëm pak pasi kishte njoftuar se po shqyrtonte pezullimin e ndihmave financiare për territoret palestineze, Bashkimi Europian e ktheu mbrapsht vendimin.

Komisioneri i Zgjerimit Oliver Varhelyi, deklaroi se pas sulmit të Hamas ndaj Izraelit të shtunën “të gjitha pagesat për palestinezët do të pezullohen menjëherë. “Të gjitha projektet janë nën shqyrtim. Të gjitha propozimet e reja buxhetore, përfshirë edhe ato për vitin 2023 janë shtyrë deri në një njoftim të ri”, u shpreh ai. Por në një reagim të mëvonshëm, Komisioni Europian e kundërshtoi zyrtarin e vet Varhelyi, duke thënë se “nuk do të ketë pezullim të pagesave”. Krahu ekzekutiv i bllokut nuk dha asnjë shpjegim për këtë rrëmujë.

Nga bllokimi i Komisionit të BE-së nuk preken thjesht ndihmat humanitare për palestinezët në Rripin e Gazës dhe në Bregun Perëndimor, i pushtuar nga Izraeli tha komisioneri i BE-së, Janez Lenarcic, i cili është përgjegjës për Ndihmën ndaj Katastrofave. Për ndihmat humanitare sivjet, nga buxheti i Bashkimit Europian  janë parashikuar të paktën 200 milionë euro.

Prej dekadash BE paguan ndihma sociale, ushqime dhe programe edukimi e shërbime mjekësore për palestinezët në nevojë. Sipas vlerësimeve të OKB-së janë rreth 1,5 nga 2,1 milionë banorë të Rripit të Gazës të varur nga këto ndihma. Ky territor, që është pothuajse i rrethuar prej Izraelit dhe Egjiptit, nuk ka vende pune dhe asnjë një ekonomi funksionuese. Shumica e banorëve jetojnë në varfëri. Që nga viti 1993 përfaqësuesit e Izraelit dhe të palestinezëve negociojnë për një zgjidhje me dy shtete. BE sipas Komisionit të BE-së ka lëvruar gjithsej 8,5 miliardë euro në Bregun Perëndimor dhe në Rripin e Gazës.

Në Izrael dhe në Europë megjithatë vazhdimisht kanë pasur kritika për ndihmat e Brukselit, të cilat disa i kanë konsideruar si financim indirekt të Hamasit. Gjermania megjithatë nga ana e saj i ndërpreu ndihmat e zhvillimit. Ministrja gjermane e Bashkëpunimit Ekonomik dhe Zhvillimit Svenja Schulze deklaroi, se do të ngrijnë menjëherë pagesat prej 250 milionë eurove të ndihmës gjermane. Pagesat e ndihmës duhet t`i shërbejnë paqes, dhe jo të bien në duart e terroristëve, u shpreh ajo.

Top Channel