Gjyqtarët votojnë për tre përfaqësuesit e rinj në KLGJ/ Sadushi rendit problemet e organit të drejtësisë

09/10/2023 10:07

Mbledhja e Përgjithshme e Gjyqtarëve të Republikës të të gjitha shkallëve ka nisur këtë të hënë, për të zgjedhur tre përfaqësues të rinj në Këshillin e Lartë Gjyqësor.

Ata do të zëvendësojnë tre prej anëtarët që iu përfundon mandati, Brikena Ukperaj nga Gjykata e Apelit dhe Dritan Hallunaj e Marçela Shehu nga Shkalla e Parë.

Kandidatët që garojnë dhe që do të votohen nga kolegët janë gjyqtarët Emona Muçi e Irida Kacerja, gjyqtare të Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm dhe gjyqtarët Alma Kodraliu, Gentiana Muçaj  e Markelian Koca nga gjykatat e Shkallës së Parë.

Më pas, gjyqtarët iu drejtuan kutive të votimit. Nga 240 gjyqtarët të Gjykatës së Lartë, 236 prej tyre kanë marrë pjesë në votim.

Teksa mandati i parë i Këshillit të Lartë Gjyqësor është drejt përfundimit, Sokol Sadushi bëri një rezyme. Sipas tij, gjykatat janë riorganizuar tërësisht.

“Sot kemi gjykata funksionale të rioganizuara tërësisht, duke filluar nga Gjykata e Lartë, e plotësuar me trupën gjyqësore, si dhe gjykatat e apelit dhe të shkallës së parë, që me gjithë vështirësitë në rritje, falë punës së përkushtuar të gjyqtarëve, po funksionojnë sipas kuadrit ligjor dhe hartës së re gjyqësore. Rikonceptimi i Këshillit të Lartë Gjyqësor si organ i pavarur, me përbërje mikse dhe me garanci të forta kushtetuese është konsideruar si një nga produktet më të rëndësishme të reformës në drejtësi”.

Më tej, Sadushi zbuloi problemet që Këshilli i Lartë Gjyqësor ka aktualisht:

Ka ende gjyqtarë në sistem, të cilët nuk kanë vlerësim etiko profesional, megjithëse kanë më shumë se një dekadë në detyrë.

40 magjistratët e diplomuar këtë vit janë ende të pa emëruar, ndërkohë që sistemi ka nevojë emergjente për to.

Kancelarët e gjykatave janë të pakonfirmuar, për shkak të mosmbylljes së procedurës për vlerësimin profesional pranë Shkollës së Magjistraturës.

Gjykatat kanë vështirësi në administrimin e buxhetit, për shkak të konceptit se çdo shpenzim duhet të miratohet nga Këshilli i Lartë Gjyqësor, ndërkohë që një ndër kolonat e gjyqësorit të pavarur lidhet me vetadministrimin e buxhetit;

Trupa gjyqësore ndjen shqetësim për cenimin e standardeve të promovimit dhe ngritjes në detyrë mbi bazë merite, për shkak të mundësisë së një trajtimi të pabarabartë në pikëzim dhe në renditje, referuar diskrecionit të pakufizuar të anëtarit të Këshillit;

Mungon një platformë komunikimi efiçente, në të cilën adresohen në kohë reale shqetësimet e përditshme të trupës gjyqësore dhe që marrin zgjidhje nga Këshilli, pa i kanalizuar në procedura burokratike

Kërkohet të reagohet në mënyrë koherente ndaj sulmeve të padrejta, të shumta e të vazhdueshme deri edhe në kërcënime që u bëhen gjyqtarëve për shkak të funksionit.

Top Channel