Fiks Fare denoncoi mbrëmjen e së hënës veprimet e policisë dhe punonjësve të Transportit Rrugor të Lezhës dhe Kurbinit, ne lidhje me rinovimin e një patente.

Në redaksinë e Fiksit u ankua z. Marash Marashi, nga Fushë Kuqa e Kurbinit. Ai thotë se i ka skaduar leja e drejtimit, patenta, në datën 17 shtator 2023. Patentën e ka nxjerrë në datën 28 shtator 2018 dhe ka pasur një afat 5 vjeçar nga mosha që ka.

Thotë se ka shkuar te Drejtoria Rajonale e Shërbimeve të Transportit Rrugor në Kurbin dhe ka kërkuar që të rinovojë. Por i kanë thënë se “patenta të është bllokuar që në vitin 2016”. Por si iu bllokua patenta në 2016-ën, kur patentën e re e ka nxjerrë në vitin 2018?!

Te Drejtoria në Kurbin i kanë thënë se kanë disa shkresa të Policisë së Lezhës, për shkelje të rregullave të qarkullimit. Shkresat janë të vitit 2016 dhe njëherë janë për pezullim të lejes së drejtimit dhe herën tjetër për tërheqje leje drejtimi. “Unë e kam nxjerrë patentën në 2018-ën. S’më tha gjë njeri që s’më takon.

Mua s’ma kanë bllokuar këtë leje, e kam pasur aktive. Kam lëvizur dhe në 2017-ën më kanë vendosur prapë gjobë nga policia. Si më vendosën gjobë në 2017-ën kur ma bllokuan në 2016-ën?!” thotë qytetari.

Më tej pohon se e kërkon patentën se do të lëvizë, pasi ka të afërmit në Itali dhe dëshiron të lëvizë. “Tani më thonë e ka bllokuar sistemi. Unë vetëm rinovimin kërkoj, jo ta bëj nga e para. Kam edhe një shkresë nga Policia e Lezhës që në 2017-ën s’kam masë pezullim apo heqje patente” thotë qytetari.

Bashkë me qytetarin, gazetarët shkojnë te Drejtoria Rajonale e Shërbimeve të Transportit Rrugor në Kurbin. Takojnë një përgjegjës te sporteli dhe i bëjmë me dije problematikën. Përgjegjësi u thotë se drejtoria ka disa shkresa të vitit 2016 që leja është pezulluar dhe më pas hequr.

Gazetarët i bëjnë me dije se shkresat janë në vitin 2016, por qytetari e bëri patentën e re në vitin 2018. Dhe, si e bëri patentën në 2018-ën? “Mund të jetë bërë shkelje nga punonjësit e DPSHTRR-së së Kurbinit por edhe nga ata të Policisë së Lezhës që ia kanë dhënë fizikisht patentën qytetarit” thotë përgjegjësi.

Fiksi i bën me dije se qytetari ka marrë një shkresë nga Policia e Lezhës që në 2017-ën se s’ka masë pezullimi apo heqje leje drejtimi. Na thotë se ajo si drejtori ka shkresa të vitit 2016 dhe tashmë “sistemi s’të lejon që të veprosh”. Sipas tij, qytetari duhet ta bëjë nga e para patentën dhe se ajo i është bllokuar për shkelje. Më tej sqaron se shkelja duhet të jetë bërë nga ish punonjësit e DPSHTRR-së apo edhe nga policia.

“Këta vetë ma japin në 2018-ën dhe tani s’të takon se të është bllokuar në 2016-ën?! Unë kam marrë disa gjoba, por kanë qenë parkimi dhe nëse do më ishte bllokuar, si do lëvizja gjithë kohën. Tani kush ka bërë shkelje, unë apo ata? Kërkoj vetëm t’ma rinovojmë” thotë qytetari.

Fiks Fare iu drejtua me një kërkesë për informacion Drejtorisë së Përgjithshme të Transportit Rrugor. Në përgjigje, kjo drejtori na thotë se z. Marashi i është hequr leja e drejtimit në gusht të vitit 2016! Tashmë – shkuan DPSHTRR-ja, duke filluar nga dhjetori 2021 rimarrja e lejes bëhet me provim.

Në lidhje me pyetjen se qytetari është pajisur me leje në vitin 2018, Drejtoria na thotë se “në atë datë sistemi nuk e kishte kriter kufizues për rinovim heqjen e lejes së drejtimit kur shtetasi dorëzonte kartonin origjinal”. Sipas tyre, “drejtuesi i mjetit ka dorëzuar kartonin origjinal të lejes së drejtimit”.

Por si e dorëzoi ku i ishte hequr në 2016-ën?! Drejtoria thotë se “s’ka pasur sistem”, ndërsa pohon se kufizimi i ri për provim është bërë për të shmangur “ndonjë abuzim të mundshëm që mund të bëjnë punonjësit që administrojnë lejen e drejtimit të hequr duke ja kthyer fizikisht atë”. Më tej, drejtoria thotë se në sistemin e lejeve, qytetari vijon ta ketë aktiv vendimin për heqjen e saj dhe për pasojë sistemi nuk lejon vijimin e procedurës së rinovimit.

Sipas tyre, “drejtuesi duhet të rifutet në provim”. Drejtoria pranon se ka pasur një abuzim. Por nga kush? Në përgjigje, Drejtoria e Transportit shkruan se “megjithëse i ishte hequr, ai e kishte fizikisht”, duke ia adresuar fajin Policisë së Lezhës. Por, kjo e fundit, në një shkresë që i ka dërguar qytetarit i shkruan se “nga data viti 2017 deri në 2023, nuk keni shkelje me masë plotësuese pezullim, heqje të lejes së drejtimit apo humbje totale të pikëve”. Më tej i shkruan se “OASH nuk ka marrë një vendim të tillë për shkelje me masë plotësuese pezullim për detyrim provimi”.

Në fund i thotë se “raste mospërputhjesh apo shfaqjesh në hedhjen e të dhënave tek regjistri i lejeve të drejtimit për shtetasit, siç është rasti juaj, në sistem EDM të DPSHTRR, ju duhet t’ia bëni prezent personave përgjegjës të Drejtoria.

Pra dy institucione me përgjigje të ndryshme! Në fund, asnjëra nuk bën hetime nëse ka pasur apo jo shkelje nga punonjësit e DPSHTRR-së apo edhe të Policisë. Deri më tani, i vetmi “fajtor” është qytetari!

FOTO GALERI
1/8

Top Channel