Një tubacion nënujor i gazit që lidh Finlandën dhe Estoninë u mbyll më 8 tetor pas një rënieje të papritur të presionit, që me gjasë është shkaktuar nga një rrjedhje. Kështu tha kompania finlandeze e sistemit të gazit, Gasgrid dhe operatori estonez Elering.
Gasgrid tha se shkaku i rrjedhjes ende është i paqartë, por aktualisht furnizimet me gaz janë të qëndrueshme.
“Nuk dua të spekuloj për shkakun e rrjedhjes”, tha për Reuters zyrtari i Gasgridit, Janne Gronlund.
Ai tha se gazsjellësi është izoluar me qëllim që të parandalohet humbja e mëtejme e gazit. Tubacioni Balticconnector, i gjatë 77 kilometra, midis Inko në Finlandë deri në Paldiski në Estoni përshkon Gjirin e Finlandës që gjendet në Detin Baltik dhe shtrihet në lindje në ujërat ruse dhe përfundon në portin e Shën Petersburgut. Më 2022, gazsjellësi Rrjedha Veriore, që kalon nën Baltik dhe lidh Rusinë me Gjermaninë, u dëmtua nga shpërthimet. Autoritetet thanë se shpërthimet janë shkaktuar nga akte të qëllimshme të sabotimit.
Në kohën kur u vërejt rënia e presionit, gazsjellësi, që transporton gaz në të dyja anët varësisht nga kërkesa – ishte duke transportuar rreth 30 gigavat orë gaz në ditë nga Finlanda në Estoni. Autoritetet në Estoni tha se do të furnizohen me gaz në Letoninë fqinje. /REL
Top Channel