Krim në hotel” një komedi nga Ron Clark dhe Sam Bobrick e përshtatur me mjeshtëri nga Teatri Eksperimental u ngjit në skenën e teatrit të Gjirokastrës si pjesë e eventeve të fundjavës dhe ishte një shfaqje e mirëpritur nga publiku. 

Tri personazhet kryesore që gjenden përballë dilemës së vrasjes për hir të dashurisë vendosen në situata të shumta dështimesh komike por edhe sfidash filozofike e sociale. Komedia i mëshon natyrës njerëzore dhe faktit që njeriu duhet të mbrojë dhe të kënaqet me ato që ka përballë tundimit të atyre që mund të kishte.

Komedia është një dedikim për natyrën komplekse njerëzore por edhe për barrierat e nevojshme sociale si dhe mesazh për të jetuar jetën.

“Mendoj se është një shfaqje që i flet aktualitetit dhe mendoj se është përshtatur mjaft mirë dhe publiku e ka pranuar sepse përveçse është argëtuar ka marrë edhe mesazhet që përcjell kjo shfaqje. Janë disa batuta të goditura nga autori. Ndonjëherë ne e bëjmë jetën tonë shumë të vështirë kur gjërat janë shumë të thjeshta”, tha aktori Aleksandër Kondi.

“Unë kisha rolin e dentistit që bie në dashuri me pacienten. Thellë thellë të dy duken si vrasës por nuk janë vrasës. Ishte një rol të cilin e kam punuar shumë. Them se e solla natyrshëm se këtu ndihem si në shtëpinë time”, tregoi aktori Engjëll Hoxha.

“Është një nga rolet që më ka pëlqyer më shumë. E kam gjetur veten shumë rehat me partnerët e mi. Mesazhi që do të doja unë të përcillja është që njeriu të bëjë atë që i thotë zemra“, tregon aktorja Altea Lazaj.

Komedia që angazhon aktorë të rinj e ka testuar veten në disa skena nëpër Shqipëri dhe do ta vazhdojë rrugëtimin e saj edhe ditët në vijim. Skenografia, kostumografia dhe muzika ishin elementë shumë inovative dhe modernë të shfaqjes, njëherazi një ndikim i teatrit forum që nuk e lë jashtë vëmendjes publikun.

Top Channel