Qytetarët shqiptarë mendojnë se sulmi terrorist në Banjskë të Zveçanit do t’i përshkallëzojë tensionet mes Kosovës dhe Serbisë. Sipas sondazhit të publikuar në faqen e Top Channel pyetjes: A mendoni se sulmi terrorist në veri të Kosovës do t’i përshkallëzojë tensionet Kosovë-Serbi?
50.56% e votuesve kanë votuar opsionin Po, ndërsa 49.44% opsionin Jo.
Diferenca mes dy alternativave është shumë e vogël, ku një pjesë e shqiptarëve mendojnë se ndërhyrja e ndërkombëtarëve mund ta ndalojë përshkallëzimin e mëtejshëm dhe me fare pak diferencë, pjesa tjetër mendojnë se nuk do të ndikojë në shtimin më shumë të tensioneve midis dy vendeve.Kujtojmë se situata mes Kosovës dhe Serbisë vijon prej vitesh tashmë e tensionuar, ku kjo e fundit ende nuk e njeh Republikën e Kosovës.
Policia e Kosovës u sulmua në orët e para të 24 shtatorit nga një grup i armatosur në veri të Kosovës. Si pasojë e sulmeve mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, ndërsa mbetën të vdekur edhe tre sulmues pas përballjes me policinë. Policia e Kosovës është ende duke kryer hetime në zonën malore të Banjskës, pas sulmit terrorist.
Autoritetet e Kosovës kanë fajësuar Serbinë për sulmin, por autoritetet në Beograd e kanë hedhur poshtë këtë akuzë. Përgjegjësinë për sulmin në Banjskë e ka marrë Millan Radojçiç, ish-nënkryetar i Listës Serbe. Sulmi ndaj Policisë në Banjskë është dënuar ashpër nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian dhe është bërë thirrje për përballjen e autorëve me drejtësinë.
Top Channel