Nuk ndalet agresioni rus në Ukrainë, sulmet shkatërrojnë çdo gjë! 52 viktima brenda 24 orëve

06/10/2023 20:11

Dita e dytë e sulmeve rezultoi fatale për Ukrainën, pasi shpërthimet me raketa i morën jetën një 10-vjeçari dhe gjyshes së tij, teksa la të paktën 28 persona të tjerë të plagosur.

Harkivi zona e goditur sërish një ditë më parë shënoi të paktën 50 viktima si pasojë e agresionit rus, ndërsa sot banorët vendas po përjetojnë sërish momente tmerri.

Punonjësit e shpëtimit po luftojnë për shuarjen e zjarreve pranë automjeteve të djegura. Të dëmtuara kanë mbetur ndërtesat në epiqendrën e sulmeve nga dy raketa.

Presidenti Volodymyr Zelensky e përshkroi sulmin si një shembull tjetër të terrorit rus, njëkohësisht konfirmoi viktimat.

Banorët kanë mbetur të tmerruar pas shpërthimeve që ndodhen në një moment kur numri i lëvizjeve të civilëve është më i lartë.

Në bilancin e bërë deri më tani, brenda 24 orëve sulmet ruse i morën jetën  në total 52 personave, përfshirë edhe fëmijë. Dhjetëra të tjerë kanë mbetur të plagosur, disa prej tyre të dërguar nëpër qendra mjekësore.

Kremlini, ka mbajtur një qëndrim të prerë pas akuzave për sulmet, duke pretenduar se forcat ruse nuk synojnë civilët në Ukrainë.

Sulmi provokoi zemërim nga udhëheqësit perëndimorë, ndërsa Kombet e Bashkuara deklaruan se veprimet me raketa mund të përbëjnë krim lufte.

Top Channel