Pioniere për gratë në politikën amerikane! Ndërron jetë në moshën 90-vjeçare, senatorja Dianne Feinstein

29/09/2023 15:22

Dianne Feinstein, senatorja e Kalifornisë dhe njëherazi një pioniere për gratë në politikën amerikane, ka ndërruar jetë në moshën 90-vjeçare.

Vdekja e senatores vjen pas një përkeqësimi të dukshëm të shëndetit, i cili kishte ngritur shqetësime në mesin e demokratëve në Capitol Hill dhe kishte rritur debatin në Uashington mbi moshat më të mëdha të politikanëve të shquar amerikanë që mund të vijonin të jepnin kontributin e tyre në politikën aktive.

Derisa një zëvendësues të zërë vendin e saj, vdekja e Feinstein do të ul numrin e senatorëve që përkrahin demokratët në dhomën e sipërme të Kongresit në 50, duke ngushtuar shumicën qeverisëse të partisë në vetëm një senator.

Feinstein shërbeu në politikën amerikane për më shumë se tre dekada. Ajo kishte njoftuar më parë planet për t’u tërhequr nga pozicioni i saj në fund të vitit të ardhshëm. Pas deklaratës për daljen në pension, Presidenti i SHBA Joe Biden e quajti senatoren një “mbrojtëse të apasionuar të të drejtave civile” me një “zë të fortë për politikat e sigurisë kombëtare që na mbajnë të sigurt duke nderuar vlerat tona”.

“Kam shërbyer me shumë senatorë amerikanë, por mund të them sinqerisht se Dianne Feinstein është një nga më të mirat”- tha zoti Biden.

Në fillim të këtij viti, ajo mungoi nga Capitol Hill për gati tre muaj pas një rasti me herpes. Feinstein mori detyra më të lehta pas kthimit të saj dhe lëvizi nëpër Kapitolin e SHBA duke përdorur një karrige me rrota. Ajo ndonjëherë shfaqte konfuzion gjatë intervistave, në seancat dëgjimore të komisioneve ose votimet në terren.

Zonja Feinstein ishte e njohur gjithashtu si një avokate e zëshme për masat e kontrollit të armëve dhe një mbështetëse e zjarrtë e ndalimit të armëve sulmuese të nënshkruar në ligj nga Presidenti Bill Clinton në 1994.

Top Channel