Vrasja e Martin Bardhit në Rrëshen ishte në kufijtë e një masakre, pasi të plagosur kanë mbetur tre qytetarë të tjerë, që po konsumonin kafe në lokalin e viktimës.
Konfirmohet se përveç vrasjes së 59-vjeçarit, plumbat kanë prekur edhe tre shtetas: kushëriri i viktimës Indrit Bardhi, Olti Gjini dhe Ilir Bardhoku, të cilët janë dërguar me urgjencë në spital.
Ndërkohë, në fshatin Gziq të Mirditë, është konstatuar duke u djegur një automjet tip fuoristradë, që dyshohet se është përdorur nga autorët.
Forca të shumta policie kanë rrethuar zonën dhe në ndihmë të Policisë lokale, janë nisur Forcat Speciale “RENEA” dhe FNSH.
Vrasja ndodhi këtë paradite, rreth orës 10:40. pranë lokalit të viktimës, Martin Bardhi, 59 vjeç. Dyshohet se në fillim, 59-vjeçari dhe autorët janë konfliktuar me njëri-tjetrin dhe sherri ka degraduar në përdorimin e armëve. Atentatorët më pas janë larguar me një fuoristradë të zezë.
Dyshohet se hakmarrja ka qenë shkak i vrasjes, pasi në mars të këtij viti, së bashku me të birin, Erind Bardhin, Martini qëlloi me armë zjarri në drejtim të automjetit të shtetasit Saimir Reçit, nipi i Kastriot Reçit të ekzekutuar në vitin 2020. Saimir Reçi arriti t’i shpëtonte atentatit, ndërsa Bardhi u vu në pranga.
Vetëm pak ditë më parë, ai kishte dalë nga burgu. Mes fiseve Reçi dhe Bardhaj ka pasur vazhdimisht konflikte dhe dyshohet se edhe vrasja e sotme lidhet me përplasjen mes dy fiseve.
Top Channel