Kryesocialisti Edi Rama do të drejtojë këtë të enjte mbledhjen e Grupit Parlamentar nga ku pritet  të vendoset qëndrimi përfundimtar i mazhorancës për kërkesën e SPAK drejtuar Kuvendit për marrje autorizim për arrestimin e Belinda Ballukut.

Dy burime nga Grupi Parlamentar socialist i thanë Top Channel, se deputetët janë njoftuar për të marrë pjesë në mbledhje të Enjten ora 11.

Vendi i zgjedhur për këtë mbledhje pohojnë të njëjtat burime është Pallati Brigadave.

Një ditë më parë pas mbledhjes të Këshillit të Mandateve dhe Imunitetit Taulant Balla paralajmëroi se do të jetë mbledhja më e parë e grupit që do të vendosë për kolegen e tyre Belinda Balluku.

Vetë Rama dhe deputetët e tij do të dëgjojnë relatimin e Ulsi Manjës,  bazuar në atë çfarë u parashtrua prej prokurorëve të SPAK në Këshillin për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin.

Ky do të jetë momenti kur socialistët do të marrin një vendim polik për kërkesën e SPAK,  të cilët ngulmuan në Këshill se kërkesa e tyre është e bazuar në prova.

Gazetari i Top Channel Muhamed Veliu mësoi të Hënën se nga diskutimet e anëtarëve socialist në Këshill, ata lanë të kuptohet se mjafton masa e pezullimit e cila po zbatohet prej zonjës Balluku dhe nuk është nevoja për një masë të re shtrënguese siç kërkon SPAK.

Për momentin trendi i qëndrimit të socialistëve anon nga mos dhënia e dritës jeshile kërkesës së SPAK për marrjen nga Parlamenti i autorizimit për arrestimin e zonjës Balluku.

Nëse kjo do të jetë ajo çfarë do të vendos shumica socialiste, atëherë do të jemi përballë rastit të dytë kur Partia Socialiste e Edi Rama nuk lejon arrestimin e një ministri të tyre.

Në vitin 2017 socialistët për kërkesë e ish Prokurorisë të Krimeve të Rënda, votuan vetëm për heqjen e imunitetit të ish ministrit të punëve brendshme Saimir Tahiri dhe vijimin e hetimeve por jo për arrestimin e tij.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Top Channel