Pas vitesh pritjeje dhe pune të palodhur nga ekipi OSIRIS-REx i NASA-s një kapsulë gurësh dhe pluhuri të mbledhur nga asteroidi Bennu më në fund është në Tokë.
Ai u ul në orët e para të mëngjesit të ditës së diel, në një zonë të shenjëstruar të Divizionit të Testimit dhe Trajnimit të Departamentit të Mbrojtjes në Utah pranë Salt Lake City, raporton NASA.
Brenda një ore e gjysmë, kapsula u transportua me helikopter në një dhomë të pastër të përkohshme të vendosur në një hangar në poligonin e stërvitjes, ku tani është e lidhur me një rrjedhë të vazhdueshme azoti.
Marrja e mostrës në një “bombul azoti”, siç e quajnë shkencëtarët, ishte një nga detyrat më kritike të ekipit OSIRIS-REx. Azoti është një gaz që nuk ndërvepron me shumicën e kimikateve të tjera dhe një rrjedhje e vazhdueshme e tij në enën e kampionit brenda kapsulës do ta mbajë jashtë ndotësve tokësorë për ta lënë kampionin të pastër për analiza shkencore.
Mostrat e kthyera të mbledhura nga asteroidi Bennu do t’i ndihmojnë shkencëtarët në mbarë botën të bëjnë zbulime për të kuptuar më mirë formimin e planetit dhe origjinën e organikëve dhe ujit që sollën jetën në Tokë. Po ashtu nga zbulimet rreth kësaj do të përfitojë i gjithë njerëzimi pasi do të mësojmë më shumë rreth asteroideve potencialisht të rrezikshëm.
Mostrat ka të ngjarë të ofrojnë njohuri të reja mbi formimin e Sistemit Diellor 4.6 miliardë vjet më parë dhe ndoshta edhe se si filloi jeta në botën tonë.
“Urime ekipit të OSIRIS-REx për një mision të përsosur, mostra e parë e asteroidit e rikthyer në histori, e cila do të thellojë kuptimin tonë për origjinën e sistemit tonë diellor dhe formimin e tij. Bennu është një asteroid potencialisht i rrezikshëm dhe ajo që do të mësojmë nga kampioni do të na ndihmojë të kuptojmë më mirë llojet e asteroideve që mund të na vijnë”, tha administratori i NASA-s, Bill Nelson.
Mostra nga asteroidi Bennu është rreth 250 gram dhe do të transportohet në bombolën e saj mbushur me azot, me avion në Qendrën Hapësinore Johnson të NASA-s në Hjuston ditën e sotme, 25 shtator.
Shkencëtarët atje do të çmontojnë kutinë, do ta nxjerrin dhe do ta peshojnë kampionin për të vijuar me punën kërkimore.
Si u arrit të merrej mostra nga asteroidi Bennu?
Dorëzimi i sotëm i një kampioni asteroidi, i pari për SHBA-në, shkoi sipas planit falë përpjekjeve masive të qindra njerëzve që drejtuan në distancë udhëtimin e anijes kozmike që kur u nis më 8 shtator 2016.
Ekipi më pas e udhëhoqi atë për të mbërritur në Bennu më 3 dhjetor 2018, përmes kërkimit për një vend të sigurt për mbledhjen e mostrave midis 2019 dhe 2020, mbledhja e mostrave u arrit më në fund më 20 tetor 2020 dhe gjatë udhëtimit të kthimit në shtëpi duke filluar nga 10 maj 2021 anija kozmike me mostrat nga asteroidi Bennu mbërriti të dielën në planetin Tokë.\
“Sot shënon një moment historik të jashtëzakonshëm për shkencën” tha Dante Lauretta, hetues kryesor për OSIRIS-REx në Universitetin e Arizonës, Tucson.
“Dorëzimi i suksesshëm i mostrave nga Bennu në Tokë është një triumf i zgjuarsisë bashkëpunuese dhe një testament për atë që mund të arrijmë kur bashkohemi për një qëllim. Por le të mos harrojmë, ndërsa ky mund të duket si fundi i një kapitulli të jashtëzakonshëm, është me të vërtetë vetëm fillimi i një tjetri. Tani kemi mundësinë e paprecedentë për të analizuar këto mostra dhe për tu thelluar në sekretet e sistemit tonë diellor.”
Top Channel