Rreth 6 orë luftë intensive me zjarrin në fabrikën e bojërave ‘Deutsch Color’ zhvilluan zjarrfikëset e kryeqytetit e të Durrësit derisa arritën ta izolonin dhe ta fiknin plotësisht.

Në këtë operacion morën pjesë 17 automjete zjarrfikëse me 70 forca si dhe më shumë se 200 punonjës policie dhe vullnetarë.

Operacioni për fikjen e zjarrit ishte i vështirë pasi në të njëjtën kohë kishte disa vatra aktive të cilat merrnin përmasa shpejt për shkak të lëndëve të djegshme që ndodheshin në magazinat e ‘Deutsch Color’.

Zjarrfikëset u përpoqën që ta mbanin zjarrin të izoluar në magazinë për të mos depërtuar në laborator aty ku ndodheshin 5 tanke me rreth 25 ton solvent që është një lëndë e djegshme që përdoret për tretjen e bojës.

Nëse solvent do të digjej pasojat do të ishin tragjike prandaj policia evakuoi 5 banesa si dhe 250 dasmorët që ishin në një biznes pranë fabrikës. Për arsye sigurie dhe autostrada Tiranë-Durrës qëndroi e bllokuar për disa orë.

Një problem serioz ishte dhe ndotja ku sipas ekspertëve kimistë nga 0.4 që është normalisht në zonë gjatë mbrëmjes së të shtunës ndotja ishte 12.6. Për shkak të toksinave të çliruara disa zjarrfikës përfunduan në spital. Policia shoqëroi 2 rojet e sigurisë që ishin të vetmit persona në godinë ku sipas deklarimeve të tyre zjarri ka nisur në magazinën e pasme të fabrikës në anën veriore. Gjatë kësaj të diele ekspertët zjarrfikës janë rikthyer në terren për të identifikuar shkaqet e zjarrit ku dyshimet kryesore janë se mund të jetë shkaktuar nga ndonjë shkëndijë elektrike.

Fabrika e bojërave ‘Deutsch Color’ ishte fabrika me e madhe që prodhon bojëra dhe produkte kimike për industrinë e ndërtimit. Deutsch Color që drejtohet nga industrialisti Luan Muça ka filiale në shumë vende të botës me një xhiro prej 240 milionë euro në një vit kalendarik. Deutche Color është shtrirë në katër kontinente duke ndërtuar fabrika në Amerikë, Europë, Afrikë, dhe Azi.

Fabrika të kësaj kompanie janë ndërtuar edhe në shtetet e bashkuara, Senegal, në Afrikën Veriore dhe në Tunizi dhe Itali. Me një emër të ri për kompaninë të quajtur DC industrialisti Luan Muça po zgjeron biznesin në Egjipt dhe Indi ku fabrika pritet të hyjë në prodhim në vitin 2024.

Top Channel