Fushata bazohet në thirrjen e dikurshme të atdhetarit Pashko Vasa “Feja e shqiptarit është shqiptaria!”, e cila është bërë në një kontest historik të caktuar kur vendi ishte ende i përçarë dhe kur kërkohej një tubim rreth idesë së pavarësisë, dhe duhet kuptuar dhe interpretuar pikërisht në ato konture.
Nga Dr.Arben Ramkaj
Dymbëdhjetë vite pas procesit të fundit, Shqipëria po i nënshtrohet këto javë një Censusi të ri, pra një fotografimi të përditësuar statistikor, që do të ofrojë një përshkrim të detajuar të gjitha aspekteve ekonomike, sociale dhe të jetës në Shqipëri.
Në parim, të dhënat e Censusit, synohet t’i ndihmojnë autoritetet shtetërore të hartojnë dhe zbatojnë politika mbi baza më reale dhe mbi nevojat më konkrete të qytetarëve shqiptare në fushat e shëndetësisë, edukimit, punësimit, infrastrukturës etj.
Por ashtu si në vitin 2011, çështjet e regjistrimit të përkatësisë etnike dhe fetare, janë ato që po shkaktojnë debatin më të madh në publik. Si qytetar i këtij vendi, unë jam padyshim i interesuar për një panoramim sa më të drejtë të peizazhit multi-etnik të Shqipërisë.
Por ndjeshmëria ime më e madhe si teolog, besimtar praktikant, por edhe si pjesëtar i shoqërisë civile, që është çdo ditë i angazhuar në promovimin e lirisë dhe të drejtave njerëzore dhe shpirtërore të njeriut, bashkëjetesës dhe harmonisë ndër-fetare, ka të bëjë me regjistrimin e lirë dhe të drejtë të përkatësisë fetare të qytetarëve shqiptarë.
Vendi ynë ka pasur një traditë të admirueshme të lirisë së ushtrimit të besimit fetar, por edhe të shprehjes hapur të përkatësisë fetare. Ja se çfarë shkruan ndër të tjera antropologia e njohur angleze Edit Durham për Tiranën e vitit 1909 në librin e saj “Brenga e Ballkanit”:
”Qyteti kishte 35 xhami. Mund të thuhet me plot gojën, se të gjithë banorët ishin besimtarë të devotshëm. Për më tepër, ata jetonin në harmoni me besimtarët e paktë të krishterë. Më erdhi keq që s’munda të qëndroj më shumë se 3 ditë në këtë Parajsë tokësore!”.
Në mendimin tim, modest besimi fetar dhe kombi në realitetin shqiptar kanë shkuar përherë dorë për dore. Për këtë mjafton të kujtojmë qeverinë e parë të Shqipërisë së pavarur, ku “Babai i Kombit” Ismail Qemali, vendosi në postin e zv/kryeministrit priftin katolik Dom Nikollë Kaçorrin.
Ndërkohë pak muaj më vonë, kryetar i parë i parlamentit u zgjodh Hafiz Vehbi Dibra. Elbasanasit, si promotorë të përhershëm të vlerave kombëtare dhe fetare ishin deklaruesit e parë të pavarësisë me 25 nëntor 1912. Ja se çfarë deklaronin ndër të tjera ata:”I gjithë kombi ynë, myslimanë dhe të krishterët, së bashku me një zë e kanë pranuar Pavarësinë e Shqipërisë…”.
Dhe nga nënshkruesit e parë të Aktit të Pavarësisë në Elbasan ishin Haxhi Hafiz Sulejman Kungulli, zv/Mitropoliti Papa Dhimitër Dhimitraku, Aqif Pashë Biçakçiu, Shefqet bej Vërlaci, Abdullah bej Tiranë, Kryetari i Bashkisë Alush Saraçi, Shejh Mahmut Guma, Shejh Xhafer Pasmaqija, Ipeshkv Beniamin Deliana, Serafin Jorgaqi, Beniamin Nosi, TaqBuda, Imam Hysein Efendi Dorazi etj.
Prandaj, në respekt të kësaj tradite të shkëlqyer, të mbrujtur me një frymë të lartë atdhedashurie dhe solidariteti vëllazëror, unë i bëj thirrje çdo qytetari që të deklarojë me vullnetin e tij të plotë, të lirë dhe të qartë besimin dhe përkatësinë e tij fetare.
Kjo në respekt të amanetit të të parëve, dhe me vetëdijen se ky ishte dhe vullneti i Etërve Themelues të shtetit Shqiptar. Por mbi të gjitha në respekt të dinjitetit dhe krenarisë së tyre vetjake. Në dallim nga pyetjet e tjera, ajo për besimin fetar nuk është e detyrueshme, pra është opsionale.
Në pamje të parë, kjo duhet të garantojë një fotografim reale të përkatësisë fetare në vendin tonë. Në realitet procesi ndikohet dhe pse jo edhe cënohet direkt nga një trysni e madhe që po ushtrohet këto ditë në media dhe nga komentet me një frymë radikale që po vërehen në rrjetet sociale.
Fushata bazohet në thirrjen e dikurshme të atdhetarit Pashko Vasa “Feja e shqiptarit është shqiptaria!”, e cila është bërë në një kontest historik të caktuar kur vendi ishte ende i përçarë dhe kur kërkohej një tubim rreth idesë së pavarësisë, dhe duhet kuptuar dhe interpretuar pikërisht në ato konture.
Mjerisht ajo thënie e shfrytëzua dhe u keqpërdor masivisht pas nga diktatura komuniste, për të justifikuar shpalljen e ateizmit zyrtar në vitin 1967. Me atë
akt të papredecentë në histori, sistemi komunist çrrënjosi në mënyrë të padrejtë të gjitha vlerat dhe kontributin e feve në Shqipëri nga koncepti shtet-formues i vendit.
Saktësisht të njëjtën gjë po përpiqen të bëjnë sot disa njerëz me një formim kulturor të mangët, apo individë që janë bartës të mentaliteteve të trashëguara nga sistemi komunist. Ata po përdorin të njëjta slogane për t’i intimiduar qytetarët e thjeshtë që të shprehin lirshëm besimin e tyre fetar.
Dhe mendoni pak, kjo gjë po ndodh në vitin 2023, në kohën e zhvillimeve të jashtëzakonshme teknologjike dhe të Inteligjencës Artificiale, që supozohet të hapë dhe jo mbyllë mendjet e njerëzve.
Konstatoj me shqetësim se presioni është dukshëm më i fokusuar tek besimtarët myslimanë. Atyre po u thuhet se janë shkaku i prapambetjes së Shqipërisë apo i mospranimit të saj në Evropë.
Qasje të tilla haptazi diskriminuese, manipuluese dhe me një frymë helmatisëse sektare, tentojnë që ta linçojnë këtë komunitet të madh fetar, që është në fakt një pasuri kombëtare e gjithë popullit shqiptar.
Por ashtu, këta individë harrojnë dhe e përçmojnë rolin e këtij komuniteti në formësimin dhe identitetit dhe të strukturës bazë të shoqërisë shqiptare dhe të kombit shqiptar, pra të themeleve të tij bazë, ku një ndër to është pasuria multi-fetare e këtij kombi.
Unë jam i sigurt që kjo pasuri e madhe do të vazhdojë ta ruajë vijimësinë e formësimit të një kombi të vogël paqedashës në Evropë. Dhe janë pikërisht këto vlera, të cilat ne duhet ti përcjellim tek të tjerët, që do na respektojnë për ata që jemi vërtet.
Besimtarët myslimanë dhe qytetarët shqiptare me traditë myslimane, por edhe me tradita të tjera fetare, duhet të kenë mundësinë dhe hapësirën e duhur që ta kuptojnë se rrënjët e kësaj trashëgimie janë të rëndësishme për vetë thelbin, tërësinë dhe brendinë e Shqipërisë, por edhe të gjithë shqiptarëve kudo që jetojnë në Ballkanin Perëndimor.
Top Channel