Mes luginave pjellore, grykave, rrënojave të lashta dhe fshatrave malore, parku i parë kombëtar i lumit të egër në Evropë “Vjosa” përpiqet të balancojë turizmin dhe ruajtjen e siteve kulturore.

Kështu e përshkruan lumin Vjosa e përditshmja amerikane “The New York Times”.

Në një artikull të gazetarit Alex Crevar udhëtimi përgjatë lumit të Vjosës të Shqipërisë jugore, thuhet se është një nga rrugët ujore të fundit të Evropës.

Në fillim të këtij viti, thuhet në artikull, Shqipëria ndërmori një hap kritik drejt ruajtjes së siteve kulturore me ngritjen e Parkut Kombëtar të Lumit të Egër të Vjosës, i pari në Evropë dhe një destinacion i përfshirë në listën e “52 vendeve për të vizituar këtë vit”.

“Kombinimi i mikpritjes dhe potencialit të pashfrytëzuar e bën dehëse Luginën e Vjosës, relativisht të pazbuluar. Gjithashtu, krijon kushte pjellore për një turizëm të jashtëzakonshëm”, theksohet në shkrimin e The New York Times.

Burimi i Vjosës prej 169 miljesh është në malet e Pindit të Greqisë dhe ndërsa ndjek rrjedhën e Vjosës gazetari zbulon qytetin e gurtë të Gjirokastrës, Tepelenën e Përmetin, me ndërtesa të vjetra, kala e kisha, e festivale gjithnjë më të larmishme për të përfunduar në veri të Vlorës, aty ku përfundon edhe Vjosa me gjithë larmishmërinë e saj.

Shkrimin e the New York Times për Vjosën e ka ndarë edhe kryeministri i vendit Edi Rama në rrjetet sociale, duke e cilësuar një super promovim për Vjosën dhe Përmetin.

“Përshkrimet janë edhe një super promovim për këtë anë të Shqipërisë, nga Përmeti, ku prodhimet e zonës së bashku me mikpritjen ballkanike janë me bollëk, në bujtinat e Tepelenës dhe shija e kafesë së pjekur në zjarr e Gjirokastrës, e deri në grykëderdhjen e saj me peizazhet me kripore e vreshta, përmes rrëfimeve të fermerëve dhe banorëve”, thekson kryeministri Rama.

Top Channel