Emisioni investigativ Fiks Fare ka vënë në dukje mbylljen paraprake të një nga qendrave shëndetësore verore në plazhin e Borshit.

Fluksi i madh i turistëve këtë sezon veror  bëri që Ministria e Shëndetësisë të merrte masa për qendrat shëndetësore verore që të ishin të hapura 24 orë. Por në redaksinë e emisionit Fiks Fare u denoncua se qendra e plazhit Borsh u mbyll që në 31 gusht, ndërkohë që numri i pushuesve vazhdonte të ishte i lartë.

Një banor i Borshit ka denoncuar mbylljen e qendrës shëndetësore të plazhit të Borshit, por që nga ankesa e turistëve u rihap sërish ditën e nesërme, por jo 24 orë siç ishte urdhëruar nga Ministria e Shëndetësisë.

Fiksi dërgoi një grup xhirimi në këtë qendër shëndetësore ku faktoi se ajo nuk rrinte e hapur në shërbim të pushuesve 24 orë , por mbyllej në ora 22:00. Në qendër shërbente vetëm infermierja, mjekja mungonte. Infermierja shprehet se në raste kur është e nevojshme ajo telefonohet dhe jep mjekimin me anë të telefonit. Gazetarët e Fiksit e kontaktuan mjeken e cila  u shpreh se ishte në ambulancën e një fshati tjetër dhe se në ngarkim ka disa ambulanca që duhet t’i kontrolloj çdo ditë.

Për sa i përket orarit të qendrës që mbyllet në orën 22:00 mjekja përgjegjësinë ia kalon drejtorit të spitalit Sarandë, Arsen Dule nga edhe varet. Ndërkohë ky i fundit i kontakltuar në telefon nga gazetarët pohoi se qendra është mbyllur në dt 31 gusht sipas ligjit 360 i dalë në qershor të vitit 2023.

Gazetarët kërkuan për këtë ligj, por që nuk gjendet askund, ndërkohë që drejtori është njohur që në fillim të sezonit turistik me urdhrin e Ministrisë së Shëndetësisë që qendrat shëndetësore të plazheve duhet të jenë në punë nga 15 qershori deri në 15 shtator me kohë të plotë  shërbimi,24 orë në ditë.

Për sa i përket mungesës së mjekëve në këto qendra shëndetësore drejtori Dule tha se po punohej për  të gjetur një zgjidhje. Ndërkohë sezoni turistik është mbyllur drejtori ende nuk ka gjetur zgjidhje, të paktën të shpresojmë se vitin tjetër  nuk do ketë më mungesë në radhët e bluzave të bardha në shërbim të pushuesve.

FOTO GALERI
3/6

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA