Në Mitrovicë ka bërë bujë një mesazh i veçantë në rrjetet sociale nga drejtoresha e Arsimit në këtë Komunë, Drita Kadriu.

“Mësimdhënës, mos i dënoni nxënësit të qëndrojnë në një këmbë për mungesë tekstesh”- shkruan Kadriu, duke iu drejtuar në këtë mënyrë mësuesve dhe arsimtarëve “të ashpër”, që mos t’i dënojnë nxënësit të cilët nuk kanë arritur ende t’i blejnë librat.

Drejtoresha Kadriu, gjatë një bashkëbisedimi për KosovaPress, ka bërë të ditur se janë shënuar disa raste nëpër shkolla të ndryshme të Komunës së Mitrovicës, ku mësimdhënësit  kanë dënuar nxënësit e tyre për mungesë të teksteve shkollore, duke i detyruar ata të qëndrojnë në një këmbë, ose edhe në forma tjera. Ajo nuk ka dashur të përmend emra, për shkak të siç u shpreh, etikës, integritetit dhe dinjitetit të personave në fjalë, por tha se ka biseduar me mësimdhënësit në fjalë dhe ata janë të gatshëm të përmirësohen çdo ditë.

Ndërkaq ka treguar edhe për problemet që prindërit po hasin në furnizimin me tekste shkollore. Ajo pohoi se ka raste kur prindërit nuk aplikojnë fare.

Melihate Meha, drejtoreshë e shkollës fillore “Andon Zako Cajupi” në Mitrovicë, tha se numri i nxënësve të cilët ende nuk i kanë siguruar tekstet shkollore është i lartë. Sipas saj, faktori kryesor për këtë situatë është gjendja e rëndë ekonomike që mbretëron tek shumë familje në rajonin e Mitrovicës.

Në anën tjetër, Diana Pllana, nxënëse e klasës së nëntë në shkollën “Çajupi” në Mitrovicë, thotë se shumë shoqe dhe shokë të saj nuk kanë arritur t’i blejnë librat për shkak të mundësive financiare.

Erionit Kelmendi, po ashtu nxënës i klasës së nëntë në këtë shkollë, tregoi se nuk është pajisur me të gjitha librat. Madje, shtoi ai, ka shkuar një ditë më parë për të blerë vetëm disa libra për të cilat ka shumë nevojë, por nuk ka arritur, pasi që shitësi i ka thënë se nuk mund t’i ndajë ato. Edhe Anila Pllana, nxënëse e klasës së gjashtë, tha se nuk po mund t’i përcjellë mësimet dhe të jetë aktive në orë, pasi që nuk i ka siguruar ende librat.

Ndryshe, gjatë përpunimit të të dhënave para tre ditësh, në 33 shkolla të Komunës së Mitrovicës, ku vijojnë mësimin mbi 14 mijë e 500 nxënës, ka dalë se rreth 6 mijë nxënës nuk i kanë tekstet shkollore.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA