Një 30-vjeçar që kishte magazinuar në banesë mijëra produkte kozmetike të kontrabanduara, është arrestuar në Durrës, si dhe është bërë sekuestrimi i mallrave të luksit.

“Në bazë të informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, në vijim të punës hetimore dhe operacionale për konstatimin dhe goditjen e krimeve ekonomike, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare të DVP Durrës evidentuan një rast të futjes së mallrave të kontrabanduara në vendin tonë. Për këtë rast u kap në flagrancë dhe u vu në pranga shtetasi B. N., 30 vjeç, banues në Durrës.

Në një magazinë në lagjen nr. 14, pjesë e banesës së 30-vjeçarit, shërbimet e Policisë gjetën 1830 produkte kozmetike (kremra dhe vajra për përdorim në plazh) të dyshuara të kontrabanduara, për shkak se nuk ishin të shoqëruara me faturat përkatëse doganore apo të origjinës”- thuhet në njoftim.

Produktet që dyshohet se ishin magazinuar me qëllim tregtimin me pakicë, në dyqane të ndryshme, u sekuestruan nga Policia, me cilësinë e provës materiale.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.

Top Channel