Rimbursimi i librave/ Vështirësi për aplikimin në Kosovë një javë pas fillimit të shkollës

09/09/2023 12:40

Kanë kaluar më shumë se një javë që ka nisur procesi mësimor, por shumë nxënës vazhdojnë të mbeten pa tekste shkollore në Kosovë për shkak të problemeve që po hasin prindërit për të aplikuar në platformën e-Kosova për rimbursim.

Prindërit po ankohen se nuk kanë mundësi të hapin xhirollogari bankare, dhe se librat po kushtojnë më shumë se fondet që po ekzekutohen nga Ministria e Arsimit. Përveç kësaj, ankesa e tyre ka të bëjë me atë se librat për klasën e gjashtë deri në të nëntën që u jepen nxënësve, janë shumë të dëmtuara.

Një nënë, që ka dashur të mbetet anonim, ka treguar për KosovaPress duke ofruar argumente se nuk po mund të aplikojnë për rimbursim Për të verifikuar nëse numri që është i vendosur në faqen e platformës e-Kosova nuk është i qasshëm për ndihmë, KosovaPress ka tentuar disa herë ta marrë linjën, por nuk ka arritur të kontaktojë dhe të merr ndonjë përgjigje.

Kjo cështje ka tërhequr vëmendjen e opozitës. deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj flet për rreth 60 për qind të nxënësve ende nuk janë pajisur me libra shkollorë.

“Sa i përket informacionit për të vendimit që është marrë, sa i përket teksteve shkollore që të aplikojnë shumica e prindërve nuk kanë xhirollogari, dhe nuk kanë si të aplikojnë, nuk dinë për të aplikuar në e-Kosova dhe ka mungesë të njërit prind, kështu që vetëm e kanë vështirësuar gjendjen e tyre dhe sot diku 30 deri në 60 për qind pas tetë ditëve nuk janë pajisur me tekste shkollore. Sidomos ajo që kanë sjellë vendim tekstet shkollore prej klasës së gjashtë deri në të nëntën, pra tekstet e vjetra, ato janë të përdorura, janë jo të pranueshme për shumë nxënës”, tha Lekaj.

 

Lidhur me vështirësitë për tu kyçur në këtë platformë, përmes e-mailit MASHT-i është përgjigjur pyetjeve të KosovaPress-it duke thënë se platforma e-Kosova po funksionon.

“Platforma e-Kosova funksionon dhe ka 812 mijë përdorues të cilët marrin shërbime. Ndër shërbimet tjera është dhe moduli për tekstet dhe materialet shkollore, aplikimi për të cilin zgjatë shumë pak dhe është shumë i thjeshtë, madje ne kemi publikuar edhe manualet e aplikimit. Shërbimi për mbështetje në e-Kosova ofrohet nga Agjencia e Shoqërisë së Informacionit e cila po vazhdon të ofroj mbështetje në funksionimin e platformës e-Kosova. Përveç kësaj, nga java e ardhshme do të ofrojmë edhe asistencë fizike në Komuna, për grupin e mbetur të aplikantëve që për arsye të ndryshme nuk kanë mundur të aplikojnë”, thuhet në përgjigjen e tyre për KosovaPress.

Ndërkaq, Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit njofton se deri më tani në platformën e-Kosova kanë pranuar rreth 177 mijë aplikime, derisa tregojnë se rreth 130 mijë aplikuesve iu janë ekzekutuar mjetet për librat shkollor.

Qeveria e Kosovës ka ekzekutuar rreth 13 milionë euro për subvencionimin e prindërve për blerjen e teksteve shkollore nga klasa e 1-9.

Top Channel