Rusia “i lyp” armë Koresë së Veriut, Kim Jong Un niset urgjent me tren të blinduar!

05/09/2023 09:08

Ka mjaftuar një kërkesë e Rusisë për armatime që lideri i Koresë së Veriut Kim Jong Un të përgatitet të niset me trenin e tij te blinduar drejt Vladivostokut, qyteti më i afërt rus me vendin e izoluar komunist.

Një zyrtar amerikan pohoi se Kim Jong Un mund të udhëtojë së shpejti drejt Rusisë për t`u takuar më Vladimir Putinin në mesin e raporteve se Kremlini po përpiqet të sigurojë pajisje ushtarake për luftën e tij në Ukrainë. Zyrtari, i cili nuk ishte i autorizuar të trajtojë çështjen publikisht dhe foli me agjencinë e lajmeve Associated Press me kusht që të mos i përmendet emri, tha se në Washington kanë bindje që ky udhëtim mund të ndodhë brenda muajit.

Edhe pse Putini e cilëson si dështim të plotë ofensivën e Ukrainës kundër forcave të tij në jug dhe në lindje të vendit fqinj, Moska nga ana tjetër duket se është duke kërkuar urgjentisht armatime për trupat e saj. Zëdhënësja e Këshillit për Siguri Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, Adrienne Watson, u shpreh se “negociatat për armët midis Rusisë dhe Koresë së Veriut po përparojnë në mënyrë aktive”.

“Ne kemi informacione se Kim Jong Un pret që këto diskutime të vazhdojnë, përfshirë edhe përmes një takimi të liderëve në Rusi”, nënvizoi ajo. Putini, sipas Neë Yorkt Times, dëshiron të sigurojë nga Peniani municione të artilerive dhe raketa kundërtanke, ndërsa Kim nga ana tjetër i intereson teknologjia e avancuar për satelitët dhe nëndetëset bërthamore, si dhe ndihmat ushqimore për shtetin e tij të varfër.

Top Channel