Hamasi ka lëshuar një breshëri raketash drejt Tev Avivit në zemër të Izraelit për të parën herë në gati 4 muaj.

Të paktën 8 prej tyre janë lëshuar nga Rafah në jug të Gazës, një lëvizje e papritur kjo që hedh në erë përpjekjet e komunitetit ndërkombëtar për të bindur shtetin hebre të tërhiqet nga ofensiva ushtarake që rrezikon me qindra mijëra civilë palestinezë në qytetin jugor, dhe i justifikon qëllimet e tij për të ndërhyrë në zonë.

Krahu ushtarak i Hamasit, brigadat Izzedine al-Qassam njoftoi përmes rrjetit Telegram se “ka ndërmarrë një sulm madhor me raketa’ ndaj tel Avivit. Hamasi i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian –ka vazhduar të sulmojë me raketa komunitetet përreth Gazës, që kur nisi luftën me Izraelin më 7 tetor. Nuk ka informacione për viktima apo dëme nga sulmi i tij i fundit me raketa.

Lufta në Gazë mes Izraelit dhe Hamasit nisi pasi grupi radikal palestinez sulmoi jugun e Izraelit më 7 tetor, duke vrarë 1.200 persona dhe duke rrëmbyer 250 të tjerë. Si pasojë e ofensivës izraelite, në Gazë janë vrarë më shumë se 35.800 palestinezë. Izraeli thotë se po zhvillon ofensivë në Gazë me synimin të crrënjësore përfundimisht Hamasin që drejton prej vitesh këtë territor. Vetëm një ditë më parë, Gjykata Ndërkombëtare e udhëzoi Izraelin që t’i japë fund menjëherë pranisë ushtarake në Rafah.

Po ashtu Gjykata më e lartë e OKB-së në Hagë ndalonte çdo aksion tjetër të Izraelit, që mund të ketë pasojë një asgjësim të popullsisë palestineze në tërësi apo pjesërisht. Rreziku për një gjenocid është ende “i besueshëm”, thuhet në vendim.

Top Channel