Dhoma ekonomike Amerikane në Kosovë (OEAK) kërkoi nga Prishtina zyrtare heqjen e masave për importet nga Serbia, pasi sipas saj një vendim i tillë po prek edhe importet nga kompanitë në pronësi amerikane.
Pas arrestimit të tre policëve të Kosovës nga Serbia në 15 qershor, qeveria e Albin Kurtit ndaloi pothuajse të gjitha importet serbe. Edhe kur policët u liruan, ndalesa vazhdoi të mbetet në fuqi. Sipas OEAK-ut, ky vendim ka bërë që importet nga kompanitë në pronësi amerikane të bien për më shumë se 39 për qind, krahasuar me një vit më parë, duke shtuar se importet e lidhura me kompanitë amerikane po pakësohen “me një rritëm alarmues”.
“Ndalimi, i cili synon Serbinë dhe produktet e importuara nga ky shtet, në fakt ndikon në masë të madhe në kompanitë ndërkombëtare. Shumë prej këtyre bizneseve janë në pronësi të kompanive nga shtetet partnere, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat kanë qenë shtylla kyçe në mbështetjen e trajektores së rritjes së Kosovës”, pohohet në njoftim.
Sipas të dhënave zyrtare, në qershor dhe korrik të këtij viti, vlera e importeve serbe ishte afro 20 milionë euro, apo mbi 50 milionë euro më pak se në periudhën e njëjtë të vitit paraprak. Importet nga Serbia po zëvendësohen aktualisht me mallra nga shtetet e tjera, kryesisht nga Maqedonia e Veriut.
Top Channel