Kosovë, Kushtetuesja pezullon vendimin për faljen e 100 eurove për tatimin në pronë

04/09/2023 13:58

Gjykata Kushtetuese ka pezulluar vendimin për ndryshimet në Ligjin për tatimin në pronë, që parashihte faljen e tatimit deri në 100 euro për qytetarët.

Kushtetuesja pranoi kërkesën e parashtruar nga Komuna e Prizrenit, duke vendosur masë të përkohshme deri në nëntor të vitit 2023 për nenin 5 të ligjit, derisa të merret një vendim përfundimtar.

Në këtë nen, veç tjerash, parashihej që çdo tatimpagues të kualifikohej për faljen e tatimit në pronë në vlerë prej 100 eurosh.

Kushtetuesja argumentoi se vendimi u mor bazuar në kompetencat e komunave, ku përfshihen edhe e drejta për mbledhjen e të ardhurave nga tatimet dhe shpenzimin e këtyre të hyrave sipas vendimit të vetë autoriteteve lokale.

“Për më tepër, vendosja e masës së përkohshme ndaj nenit 5 të ligjit të kontestuar, përkatësisht pezullimi i efekteve të tij deri në vendimmarrjen përfundimtare të Gjykatës, mundëson evitimin e cenimit të përgjegjësive komunale dhe zvogëlimit të të hyrave përkatëse komunale, në rast që Gjykata përmes vendimmarrjes përfundimtare konstaton që neni i lartcekur nuk është në përputhshmëri me Kushtetutën”, u tha në njoftimin e Gjykatës Kushtetuese.

Ligji për tatimin në pronë hyri në fuqi më 14 gusht.

Më herët gjatë këtij viti, kreu i Ministrisë të Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, kishte deklaruar se në bazë të ndryshimeve ligjore, 85 për qind e tatim-paguesve nuk do të paguanin asgjë për vitin 2023, 10 për qind të tjerë do të paguanin më pak se 100 euro dhe vetëm 5 për qind e tatimpaguesve do të paguanin më shumë se 100 euro.

Por, vendimi për faljen e tatimit në pronë pasoi rritjen e këtij tatimi në vitin 2023. Rritja u shkaktua pas vlerësimit të përgjithshëm të tokave dhe objekteve të banuara që bëri Ministria e Financave vitin e kaluar.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA