Mijëra persona marshojnë me kërkesë për tërheqje të trupave franceze nga Nigeri

02/09/2023 16:51

Mijëra persona marshuan në kryeqytetin e Nigerit, duke kërkuar që Franca, ish-fuqi koloniale në këtë vend, t’i tërheqë trupat e saj ushtarake nga vendi i tyre.

Protestuesit janë mbledhur në afërsi të bazës së ushtrisë franceze, pas thirrjes së bërë në kundërshtim të prezencës së Francës në këtë shtet të Afrikës Perëndimore.

Ata kanë marshuar me mbishkrimet, “ushtria franceze të largohet nga shteti ynë”, ndërsa nuk kanë munguar as thirrjet dhe brohorimat e vazhdueshme.

Regjimi ushtarak i Nigerit ka nisur kritika të reja kundër Francës, duke e akuzuar Parisin për ndërhyrje në përkrahje të presidentit të rrëzuar të shtetit, Mohamed Bazoum.

Pak javë më parë, regjimi ushtarak ka bërë të ditur se do t’i shkëpusë të gjitha marrëveshjet me ushtrinë e Francës, e cila i ka rreth 1.500 ushtarë në Niger, për t’i ndihmuar këtij vendi që ta luftojë xhihadin në rajon.

Udhëheqësit ushtarakë më parë bënë, të ditur për dëbimin e menjëhershëm të ambasadorit francez si dhe tërheqjen e imunitetit diplomatik brenda 48 orëve, ndërsa presidenti francez Emmanuel Macron e ka kundërshtuar këtë gjë, duke kërkuar që përfaqësuesi i tyre të qëndrojë në Niger.

 

Top Channel