Sipas kritikëve libri i ri i historisë ruse është propagandë dhe përgatitje për luftë

31/08/2023 16:43

Derisa shkollat nëpër Rusi dhe në pjesët e Ukrainës të uzurpuara nga Rusia po përgatiten për ta nisur vitin e ri shkollor më 1 shtator, rreth 650.000 kopje të një libri të ri të historisë për nxënësit e klasës së XI – vitit të fundit të shkollës së mesme – po shpërndahen.

“Pjesa për periudhën kohore nga vitet ’70 deri në vitet 2000 është ripërpunuar plotësisht”, tha Vladimir Medinsky, një ndihmës nacionalist i presidentit Vladimir Putin, i cili ka shërbyer si ministër i Kulturës nga viti 2012 deri në vitin 2020, si dhe është njëri nga autorët kryesorë të tekstit të ri shkollor, gjatë një prezantimi më 8 gusht.

Ai theksoi se “një pjesë është shtuar për ta mbuluar periudhën nga viti 2014 deri më sot” – periudhë, me fjalë të tjera, qëkur Rusia e mori në kontroll jashtëligjshëm Krimenë dhe e nisi një luftë në Donbas që u zëvendësua, në shkurt 2022, nga pushtimi i Ukrainës në shkallë të gjerë.

“Ka shumë mikrohistori dhe fakte interesante. Shumë ilustrime të reja… dhe, natyrisht, është edhe një kapitull i ndarë kushtuar ‘operacionit të veçantë ushtarak’”, tha ai, duke e përdorur eufemizmin e Kremlinit – i futur në ligjin rus – për pushtimin dhe luftën që po vazhdon edhe 18 muaj pas.

Kritikët thonë se teksti i ri shkollor ka shumë pak të bëjë me historinë, por është më shumë rikthim i praktikave të stilit sovjetik për arsimimin ideologjik të të rinjve, të cilët shumë shpejt mund të thirren në ushtri. Me disa përjashtime, djemtë e kanë detyrim shërbimin në ushtri për një vit sapo t’i mbushin 18 vjet.

“Teksti i ri i historisë është një libër adresuar pararekrutëve dhe të dashurave të tyre”, tha Aleksei Makarkin, nënkryetar i Qendrës për Politika të Teknologjisë.

“Qeveria sot, në fakt, i ka vetëm pak mënyra efektive për të komunikuar me të rinjtë. Të rinjtë nuk shikojnë televizion dhe nuk ka mënyrë për t’i detyruar ta bëjnë”, shkroi ai në Telegram.

“Historia po shndërrohet në një mjet për t’i detyruar studentët të binden”, tha edukatorja ruse, Dima Zitser, për Radion Evropa e Lirë.

“Manipulim i ulët”

Libri i plotë nuk është publikuar ende, dhe Radio Evropa e Lirë nuk e ka parë kopjen e shtypur të këtij libri deri më 31 gusht. Në fillim të gushtit, mediumi RBK publikoi fotografi të asaj që tha se ishte libri shkollor, i cili përfshin një tabelë me përmbajtjen dhe disa faqe të rëndësishme për luftën në Ukrainë dhe marrëdhëniet e Rusisë me Perëndimin.

Në të përsëritën pretendimet e rreme të presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, se Ukraina është një vend “ultranacionalist” dhe “neo-nazist”; se Kievi kontrollohet nga Perëndimi, i cili kërkon ta copëtojë Rusinë dhe t’ia vjedhë burimet natyrore; se këshilltarët e NATO-s e nxitën Kievin ta sulmojë Donbasin më 2020; se “biolaboratorët” amerikanë “tejet të fshehtë” po e krijonin një Ukrainë; se Kievi është duke kërkuar në mënyrë “agresive” të marrë armë bërthamore; dhe më shumë.

Sanksionet që Perëndimi i vendosi ndaj Rusisë pasi Moska e kapi Krimenë më 2014 dhe nisi një luftë hibride ndaj Kievit në pjesët lindore të Ukrainës, si dhe më vonë pushtimin e Ukrainës në shkallë të plotë, hidhen poshtë si veprime “plotësisht të jashtëligjshme”, të cilat “i shkelin të gjitha normat e ligjit ndërkombëtar”.

Sipas fotografive të publikuara nga RBK-ja, në libër vlerësohet pa ndonjë dëshmi se sanksionet e Perëndimit rezultuan në “vjedhjen” e 300 miliardë dollarëve në shtetin rus dhe pronën private, si dhe pretendohet rrejshëm se veprimet e Perëndimit “në thelb nuk ndryshojnë” nga plaçkitja e muzeve sovjetikë nga forcat naziste gjatë Luftës së Dytë Botërore.

“Përfituesi kryesor i konfliktit në Ukrainë ishin Shtetet e Bashkuara”, shkruhet në librin rus të historisë, duke iu referuar luftës së tanishme, të cilën Shtetet e Bashkuara u përpoqën ta ndalnin përmes diplomacisë kur Rusia i dërgoi më shumë se 100 mijë trupa pranë kufijve me Ukrainën, para se ta niste pushtimin në shkallë të gjerë.

Teksti që shihet në fotografi i paralajmëron nxënësit për atë që pretendon se është aktivitet i ndyrë i “agjentëve të huaj”, duke iu referuar shumë aktivistëve, mediave, grupeve të shoqërive civile të cilat Rusia i ka mbyllur, apo u ka bërë trysni të jashtëzakonshme me legjislacionin, i cili është bërë shumë i ashpër në dekadën e fundit.

I udhëzon ata të jenë “sy hapur” kundër ndikimit të “kundërshtarëve”, “mendimit të liderëve” dhe “blogerëve të njohur”, në mënyrë që “të mos bien pre e manipulimit të ulët”.

Në libër ka edhe skeçe të shkurtra biografike të ushtarëve rusë, të cilët janë vrarë në luftën në Ukrainë.

“Ka fotografi të heronjve. Çdo gjë është aprovuar nga komandantët dhe familjet. Nga fëmijët e heronjve. Nga gratë dhe të vejat”, tha Medinsky më 8 gusht.

Historia është shumë e rëndësishme për ne”

Medinsky, autori më i rëndësishëm i këtij libri, është historian me reputacion të dyshimtë. Ai është autor i shumë librave, përfshirë i serisë së quajtur “Mitet”, në të cilën përpiqet t’i hedhë poshtë ato që i quan stereotipa që të huajt i kanë shpikur për ta diskredituar Rusinë dhe rusët. Libri i tij për luftën: “Myths of the U.S.S.R 1939-45”, është cilësuar si “i pakuptimtë” nga historiani Aleksei Isayev.

Në janar 2012, një grup historianësh e akuzoi Medinskyn se bëri plagjiaturë në doktoratën e tij. Historiani Lev Usyskin tha në atë kohë se Medinsky është “mashtrues” me një “diplomë akademike të mashtruesit”.

Në tetor 2017, një këshill i lartë akademik i Rusisë rekomandoi shfuqizimin e doktoratës së Medinskyt mbi bazën se hulumtimet e tij nuk ishin “studiuese” dhe se ato i injoronin “burimet nëse ato e kundërshtonin temën e tij”.

Putini, i cili shpesh flet dhe shkruan për historinë, akuzohet shumë nga kritikët në Rusi dhe jashtë saj se po e shtrembëron të kaluarën. Vendimi i tij për ta nisur pushimin e Ukrainës në shkallë të gjerë u përcoll nga një numër i madh i deklaratave të rreme për historinë e atij vendi, për popullin e tij dhe për marrëdhëniet e tij me Rusinë për gjatë shekujve.

“Historikisht absurd, logjikisht analfabet”

Teksti i ri shkollor është manifestimi më i fundit i programit për “arsimimin patriotik”, i cili është bërë një tipar përcaktues i Putinit për më shumë se dy dekada si president, apo kryeministër.

“Çdo diktator represiv, posaçërisht një i cili bën luftë agresive kundër një vendi të huaj, ka nevojë për këtë. Në shekullin XXI nuk ka mënyrë tjetër për ta arsyetuar agresionin, përveç përmes miteve”, tha ish-deputeti rus, Aleksandr Osovtsov, një kundërshtar i Kremlinit që jeton jashtë vendit tani.

“Ata mund ta arsyetojmë atë që janë duke e bërë duke e përzier një koktej historikisht absurd dhe logjikisht analfabet të arritjeve mitike, duke i kombinuar Pjetrin e Madh, Katerinën e Madhe, Lenin, Stalinin dhe të gjithë ata të cilët mund të përfaqësohen disi si ‘mbledhësit e tokave ruse’”, tha ai.

Yevhen Mahda, politikan ukrainas dhe drejtor i Institutit të Kievit për Politika Botërore, tha për Radion Evropa e Lirë se “autorët e tekstit shkollor shpresojnë se ai do t’iu ndihmojë atyre ta intensifikojnë patriotizmin në Rusi” dhe ta lehtësojë mobilizimin ushtarak.

“Ky libër është për maturantët – pra, fëmijët të cilët do ta lexojnë atë duhet ta kuptojnë pse po i veshin uniformat dhe po i mbathin këpucët”, tha ai.

“Një vend me një të kaluar të paparashikueshme”

Analisti politik rus, Dmitry Oreshkin, tha se qëndrimi i Qeverisë së Putinit rreth historisë daton nga paraardhësit sovjetikë për të cilët “historia nuk ka lidhje me realitetin, por ka për qëllim krijimin e bazës ideologjike për forcimin e autoriteteve”.

Historiani i marksizmit, Mikhail Pokrovsky, tha se “historia është politikë e projektuar në të kaluarën.

“Pra, historia ndryshon varësisht nga interesat dhe partia në pushtet. Prandaj, Rusia sovjetike gjithmonë ka qenë vend me një të kaluar të paparashikueshme”, shtoi ai.

Historiani dhe edukatori rus, Segei Chernyshov, nga Novosibirski, tha se libri shkollor i Medinskyt është “një apel jo për fakte apo analizë, por emocione”.

“Qëllimi i tij i vetëm është të nxisë urrejtje ndaj ukrainasve”, tha ai.

Megjithatë, ai shprehu dyshime se do të ndihmojë në ndryshmin e mendjes te të rinjtë.

“Kjo propagandë do të kundërshtohet nga indiferenca e shëndoshë e të rinjve. Shpresoj shumë se nxënësit e klasës së XI-të, si të gjithë nxënësit e mirë të klasës së XI-të në tërë botën, nuk do t’i lexojnë tekstet shkollore. Në atë moshë ata kanë gjëra më të rëndësishme për të bërë”, tha ai.

Zitser u pajtua, duke thënë se nxënësit e klasës së XI janë “plotësisht të formësuar si personalitete”, të cilët mbase i kanë formuar tashmë qëndrimet e tyre për luftën dhe çështjet, siç janë marrëdhëniet e Rusisë me Perëndimin./ rel

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA