Një grup pune i udhëhequr nga ministri drejtësisë Ulsi Manja pas tre muaj konsultime me ekspertë dhe drejtorinë e përgjithshme të burgjeve, e ka gati projektligjin për një amnisti të burgosurve.

Top Channel ka mësuar se nga kjo amnisti mund të përfitojë mbi 600 persona të cilët aktualisht vuajnë dënime në burgjet shqiptare.  Numri një i drejtësisë shqiptare Ulsi Manja, përmes dy fotove nga zyra e tij është fiksuar duke patur mbi tavolinë projektligjin e amnistisë.

“Nisëm nga puna, premtimet nuk harrohen, amnistia”, ky është i vetmi koment i ministrit Manja.

Top Channel mëson se në këtë projektligj parashikohet të përfshihen ata të  burgosur  të cilëve i ka mbetur të vuajnë edhe tre vite burg. Përfshirjen më të madhe në këtë amnisti do ta kenë vajzat e gratë.

Në mënyrë strikte nga amnistia  përjashtohen personat që vuajnë dënime për dhunë në familje, krim të organizuar, trafik droge apo shpërdorim detyre e korrupsion.

Pritet të amnistohen persona që vuajnë dënime,  për posedim dozash të vogla lënde narkotike si kanabis, të dënuarit për ndërtime pa leje përfshi edhe ata për vepra të lehta penale e me rrezikshmëri të ulët.

Për ecurinë e hartimit të projektligjit është interesuar kryeministri Edi Rama gjatë mbledhjes informale të qeverisë,  në fund të Korrikut në Tepelenë.

Fillimisht pritet aprovimi projektligjit në mbledhjet e ardhshme të qeverisë për t’ja kaluar parlamentit për diskutim dhe miratim ku kërkohen 84 vota.

Parashikohet diskutimi dhe votimi në parlament javët e para të Tetorit. Në Shqipëri amnistia e fundit është ajo e vitit 2020 ku përfitues ishin 170 të burgosur.

Top Channel