“Dua që një ditë të zgjohem burrë”/ Dea Mishel: Arritjet e mia janë goditur nga manjakë që s’duan të pranojnë që një vajzë ‘bionde’ mund të krijojë

31/08/2023 15:21

Dea Mishel Hoxha ka publikuar një shkrim për veten dhe të gjitha vajzat dhe gratë që paragjykohen në shoqëri.

Përmes një postimi të gjatë në rrjetin social “Instagram”, finalistja e “Big Brother VIP 2”, ka rrëfyer për vështirësitë në jetën e karrierën e saj, për arsyen e thjeshtë se “është vajzë”. Kur një mashkull gabon, i falet, por kur gabon një vajzë është shtrigë, shkruan Dea.

“Arritjet e mia janë pickuar për t’u shpërbërë deri në asgjë, nga duar manjakësh që s’duan të pranojnë që një vajzë ‘bionde’ mund të krijojë diçka”, shton ajo më tej, ndërsa me ironi thotë se “do që një ditë të zgjohet burrrë”:

Është e çuditshme se si që nga 1400 vazhdojmë t’i quajmë gratë e forta, kërkuese, të vendosura, ‘shtriga’. Sikur mundësia e një gruaje për të arritur qëllimet e saj të krijohej vetëm nëse ndihmohej nga e mbinatyrshmja. Duhet të kesh bërë një pakt me djallin, se s’mund të jesh kaq e pathyeshme. Një mashkull përballë teje mund të gabojë, po ‘s’ka gjë se është i mirë nëse e njeh’, ose ‘i falet se ishte nervoz’, ndërsa kur një grua gabon, është k*rvë, shtrigë, e ligë. Ndërkohë, ti si grua shkon në ferr se ke një mendim tëndin ose se ke krehur flokët keq një ditë.

Ndiej që gjatë gjithë karrierës time gabimet e mia janë parë me lupë, ndërsa arritjet e mia janë pickuar për t’u shpërbërë deri në asgjë, nga duar manjakësh që s’duan të pranojnë që një vajzë ‘bionde’ mund të krijojë diçka. Për 9 vite, zgjohem çdo ditë dhe punoj shumë. E kam bërë çdo gjë vetë, çdo ditë të jetës sime, vetëm. Çfarë kam dëgjuar ka qenë ‘jo ka babin’, ‘dyshohet për një lidhje’. Është gjithmonë një mashkull imagjinar. Dhe vërtet është gjithmonë një mashkull për të të prishur punë. Një mashkull që të merr punën, ose i jep vendin e punës asaj me të cilën bën seks, një mashkull që futet mik për të vënë gruan në vendin e punës që meritoje ti, një mashkull që gjithsesi nuk gjykohet kurrë.

Ju se imagjinoni dot sa herë kam qarë në dhomën time sepse s’kam marrë atë që meritoja, prej një burri. Në të vërtetë, kushdo që më ka ndihmuar në jetën time ka qenë grua, rrallë herë një burrë më ka hapur rrugë.

Jam lodhur duke parë vajza shumë të forta, që e zvogëlojnë veten për t’u përshtatur dhe për t’u pëlqyer. Dhe unë lodhem, dhe them për çfarë po e bëj këtë? Dua që një ditë të zgjohem burrë. Kërkoj shumë. Dua shumë dhe dua ta arrij të gjithën  vetë. Kam më shumë b*ole se më shumë burra që kam njohur dhe mbase po të isha burrë, mund të më lavdëronin për këtë. Por jam vajzë, jam e pacipë, ‘si guxoi ajo shtriga’. Pastaj kujtohem, ka vajza të tjera si unë. Si unë kur isha 18 vjeç dhe fillova dhe s’dija ku po shkoja me jetën time. Kisha vetëm një ëndërr dhe çdo njeri kundër. Si unë kur s’bëj dot kompromise. Si unë që s’bëhem dot hija e një burri për të ecur para. Si unë që kam dëgjuar çdo lloj ofendimi të ndyrë dhe vazhdoj me veten, sepse është e vetmja gjë që kam, që më ka mbajtur, që më ka ndihmuar të eci para. Si unë që qaj shumë, po nuk injoroj asnjë lloj loti. Si unë që më duket se duhet të punoj 10 herë më shumë për të arritur diçka të thjeshtë. Si unë që s’kam bërë akoma çerekun e asaj që ëndërroj. Por, që në fund arrij ta llastoj veten. Si unë që krijoj mundësi për veten më shumë se ç’do bënte ndonjëherë ndonjë burrë për mua. Si unë që s’kam nevojë për asnjë. Si unë që në fund të ditës, jam përsëri e bukur. Se kështu vendos unë. Sepse unë jam e lirë, e pathyeshme, krijuese, ‘shtrigë’”.

 

FOTO GALERI
9/10

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA