Kursimet e shqiptarëve kanë ardhur me tkurrje që nga fillimi i vitit. Shifrat e muajit korrik tregojnë se tashmë në depozita bankare ndodhen në total 1.23 trilionë lekë apo 1.2% më pak se muaji paraardhës. Që nga janari rënia është me 5%.

Por gjatë korrikut vërehet re një tendencë në kursimet e shqiptarëve. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se rënia gjatë këtij muaji erdhi kryesisht nga depozitat në lekë dhe valutat e tjera, ndërsa për kontrast depozitat në euro erdhën në rritje.

Kështu pra kursimet e shqiptarëve në lekë arritën në 545 miliardë lekë, me një rënie prej 0.3% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ose rreth 1.8 miliardë lekë më pak.

Kjo periudhë përkon edhe me momentin e sezonit veror ku shumë familje bëjnë pushimet. Gjithashtu investimi në instrumentat e borxhit të qeverisë është një mënyrë më fitimprurëse për qytetarët në tregjet financiare.

Ndërkohë për depozitat në euro shihet se janë 6.8 miliardë euro të kursyera, rreth 130 milionë euro më shumë se një muaj më parë. Trendi vazhdon që nga janari ku shuma e shtuar në banka arrin në 442 milion euro.

Edhe pse normat e interesit janë rritur për lekun gjatë muajve të fundit, qytetarët dhe bizneset vazhdojnë që kursimet e tyre t’i shtojnë në monedhën europiane. Më së shumti kursimet janë shtuar në depozitat e transferueshme, ndërsa më pas vijnë depozitat me afat që garantojnë dhe normat më të larta të kthimit.

Ndërkohë tek depozitat në lekë, individët janë ata që kanë tërhequr më shumë, ndërsa një trend i kundërt paraqitet për bizneset që i kanë shtuar edhe më tej. Biznesi gjithashtu po bëhet një kontribues i rëndësishëm i buxhetit të shteti me taksën e tatim-fitimit që ka rritjen më të lartë gjatë këtij vitit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA