Instituti i Shëndetit Publik, në bazë të analizave virologjike ka konstatuar norovirus në lidhje me rastin e helmimit të ekipit të turistëve tri ditë më parë në Vlorë.
Analizat bakteorologjke ende nuk kanë një rezultat. Norovirus është një virus, i cili përhapet për shkak të mungesës së higjienës në ushqime, konsumimit të ushqimeve të papërpunuara mirë, kontaminimit të ujit të pijshëm, perime dhe fruta të palara.
Ekspertët e Instituti të Shëndetit Publik menjëherë sapo 41 turistët polakë u paraqitën në spital me simptoma si diarre e të vjella, nisën një hetim epidemiologjik ndërkohë që u morën edhe mostra të analizave të turistëve. Ata vetë deklaruan se kishin konsumuar ujë direkt nga rubineti. Por epidemiologët dyshojnë edhe tek ushqimi që kishin konsumuar dhe duke llogaritur edhe kohën kur janë shfaqur simptomat, turistët mund të kenë konsumuar ushqim të kontaminuar më herët se të niste turi i tyre drejt Sazanit.
Ekipi i turistëve polakë ishin nisur në 5 të mëngjesit nga resorti në Barbullush të Shkodrës. Për të mbërritur në Vlorë në orët e para të ditës dhe vetëm kur janë kthyer nga turi i Sazanit në orët e pasdites, të 41 turistët kanë përfunduar në spital, mes tyre dhe shumë fëmijë.
Por ky nuk është rasti i parë i infektimit me noroviurs. Në një status në llogarinë e saj në “Facebook”, shefja e Departamentit të Sëmundjeve Infektive Silva Bino tërheq vëmendjen për forcimin e kapaciteteve të shëndetit publik. Ajo thekson: Turizmi do higjienë, pastërti dhe monitorim strikt të tyre. Me rritjen e turizmit duhet të rriten dhe forcohen edhe kapacitetet e Shëndetit Publik Human, veterinar dhe mjedisor dhe për më shumë, midis tyre ka nevojë për superkoordinim. Në vendin tonë i të gjitha kompetencat për kontrollin e ushqimeve i kanë kaluar AKU-së.
Ish-ministri i Shëndetësisë Petrit Vasili komenton: Sot shëndeti publik dhe inspektimi sanitar janë shndërruar në terma pothuajse periferike, pa asnjë impakt, krejt ndryshe nga e kaluara. Gjë që duhet ringritur.
AKU dhe Inspektoriati Shëndetësor, thotë Vasili, janë thjesht grumbuj njerëzish dhe këto struktura nuk i shërbejnë një turizmi intensiv.
Top Channel