“Kam nisur me marihuanë kur i kam pasur 13 vjet. Tash i kam 39”, rrëfen Agimi për Radion Evropa e Lirë.

Prej pesë vitesh, ai thotë se po bën përpjekje të lirohet tërësisht nga varësia e drogës.

Kur kishte nisur të merrte marihuanë, thotë se jetonte në një shtet të Evropës perëndimore. Më pas, një tragjedi familjare, kur ishte 24 vjeç, e kishte futur në rrugën e krimit dhe kishte përfunduar në burg.

“Gjashtë vjet i kam mbajtur [dënim me burg]. Nga mërzia nuk mund të kaloja kurrsesi. Atëherë… aty erdhi një shqiptar tjetër, pak më i moshuar. Më tha: ‘a do të të ndihmoj, sepse unë mund të ndihmoj që t’i harrosh të gjitha këto’. I thashë: ‘si o burrë i fortë’. Atëherë, ma ka hedhur përpara [heroinën]. E kam marrë. Prej asaj dite… unë në burg kam filluar me heroinë”, thotë Agimi – identiteti i vërtetë i të cilit është i njohur për redaksinë e REL-it.

Pas daljes nga burgu, shteti perëndimor ku jetonte, ia hoqi lejen e qëndrimit dhe ai u detyrua të kthehej në Kosovë.

Problemet që kishte me drogën, thotë se ishin shkak i divorcit nga bashkëshortja e tij, por edhe i zënkave me familjarë të tjerë dhe i sëmundjeve të njëpasnjëshme që përjetoi, përfshirë edhe një infarkt.

“Më ka shkaktuar dhimbje, sëmundje… të gjitha të këqijat. Është shumë problem, sepse është vështirë të largohesh prej saj. I kisha lutur të gjithë… rininë… bëni çfarë bëni, por vetëm këtë [drogën] mos e prekni”, thotë Agimi.

Vite më parë, ai u drejtua për ndihmë në Qendrën Mediko-Psikoterapeutike Labirint – një organizatë jofitimprurëse me seli në Prishtinë, e cila merret me trajtimin e personave të varur nga droga.

Në këtë qendër, ai iu nënshtrua terapisë në kuadër të Programit të Metadonit. Ky është një ilaç, i cili, sipas autoriteteve kompetente, heq dëshirën për përdorimin e drogës, kryesisht të heroinës.

Agimi thotë se dikur e merrte më shpesh atë, ndërsa tash vetëm kur i shfaqen, siç shprehet, kriza të patejkalueshme.

Trendi në Kosovë

Shifrat e Qendrës Labirint tregojnë se mosha mesatare e përdoruesve të drogës në Kosovë është në trend të rënies, ndërsa numri i të varurve nga droga, të cilët kërkojnë ndihmë profesionale, është në rritje nga viti në vit.

Në databazën e kësaj qendre, aktualisht, janë të regjistruar mbi 2.850 persona që kërkojnë ndihmë, e që vijnë nga pjesë të ndryshme të Kosovës, thotë drejtori Safet Blakaj, njëherësh defektolog.

Sipas tij, pothuajse kaq është edhe numri i atyre personave që kërkojnë herë pas here shërbime në qendër dhe nuk dëshirojnë të regjistrohen.

Në mesin e vitit të kaluar, në këtë qendër kanë qenë të regjistruar 2.762 persona, ndërsa në fund të vitit 2021 kanë qenë 2.420.

Të regjistruarit, sipas Blakajt, cilësohen si përdorues problematikë të drogave. Persona të tillë, thotë ai, konsiderohen “ata që bëhen jofunksionalë, kanë probleme sociale ose me familjen, si dhe janë në konflikt me ligjin”.

Blakaj thotë se trendi i përdoruesve të heroinës është në rënie, por si mjaft shqetësues e sheh trendin e përdoruesve të kokainës – të dyja substanca që hyjnë në kategorinë e drogave të rënda.

“Më 2018-2019, ne kemi pasur persona të moshës 35 deri në 45 vjeç që kanë ardhur [në Qendrën Labirint]. Ndërsa, vitin e kaluar, [kjo moshë mesatare] ka rënë në 25 deri në 35 vjeç, me tendencë të rënies edhe më tutje. Po flasim për përdorues të kokainës. Është përhapur me shpejtësi. Përveç nga qendrat urbane, ne kemi [përdorues] edhe nga viset rurale. Kjo na tregon se ka shtrirje të gjerë të përdorimit [të drogës në Kosovë]”, thotë Blakaj.

Në Kosovë nuk ka ndonjë qendër rehabilituese afatgjate, që do të ishte nën ombrellën e institucioneve shëndetësore të shtetit. Në shumë raste, të varurit nga droga orientohen për rehabilitim afatgjatë në qendra jashtë vendit.

REL-i kontaktoi Faton Kutllovcin, drejtor i Klinikës së Psikiatrisë në Prishtinë, në të cilën gjendet reparti për sëmundjet e varësisë, por ai nuk dha informacione për numrin e përdoruesve të drogave që janë trajtuar në gjashtëmujorin e parë të këtij viti në këtë klinikë, e as për moshën e tyre mesatare.

Në një deklaratë me shkrim dhënë Radios Evropa e Lirë, Policia e Kosovës tha se, brenda gjashtë muajve të parë të këtij viti, ka arrestuar 102 përdorues të drogave. Mosha mesatare e tyre sillet nga 16 deri në 35 vjeç. Tre nga këta të arrestuar, sipas Policisë së Kosovës, janë të moshës 16 vjeç.

Brenda gjashtë muajve të vitit 2023, nga përdoruesit e substancave narkotike janë konfiskuar rreth 5 gramë heroinë, rreth 58 gramë kokainë dhe rreth 1 kg marihuanë, bëri të ditur policia.

Në të njëjtën periudhë, sipas saj, nga trafikuesit e substancave narkotike në tërësi janë konfiskuar rreth 2.6 kg heroinë, 4.6 kg kokainë, rreth 303 kg marihuanë, 3.5 kg hashash, rreth 1 kg ekstazi, mbi 1.100 bimë kanabisi, 3 mililitra vaj kanabisi, 120 gramë amfetaminë dhe rreth 2 kg droga të tjera.

Ndërkaq, për veprat penale ‘blerja, posedimi, shitja dhe shpërndarja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge’, si dhe për ‘kultivimin e bimës së hashashit, shkurres së kokainës ose bimëve të kanabisit’, policia “ka hapur 291 raste dhe ka arrestuar 387 persona”.

Me Kodin Penal të Kosovës është e jashtëligjshme që qytetarët të blejnë, posedojnë apo shpërndajnë substanca narkotike; ata mund të dënohen me gjobë apo burgim, varësisht nga sasia dhe lloji i lëndës narkotike, që iu kapet nga autoritetet e rendit.

Agimi thotë se mundësitë e përdoruesve të drogës për të siguruar substanca të ndryshme narkotike, janë të shumta.

“Vështirë nuk është fare… mund të gjesh gjithçka – kokainë, heroinë, marihuanë, ekstazi, çfarëdo që dëshiron”, thotë Agimi, i cili përmend edhe lokacione specifike në Prishtinë, por të cilat REL-i nuk ka mundur t’i konfirmojë.

Ende pa strategji të re kundër drogave

Se sa është numri i saktë i personave që përdorin drogë në Kosovë, mbetet e paqartë.

Blakaj thotë se, vitin e kaluar, bazuar në të dhënat e mbledhura nga institucionet dhe nga terreni, ky numër ka qenë rreth 30 mijë, ndërsa këtë vit trendi është në rritje.

“Ne konsiderojmë se numri i përgjithshëm shkon në rreth 40 mijë në Kosovë. Nuk jemi të sigurt se a do të vazhdojë ky trend, që është shumë me rëndësi, a do të mund ta ngadalësojmë… Për momentin, nuk kemi shumë mundësi që ta zvogëlojmë rritjen e shpejtë të tyre. Presim që sa më shpejt të nisë përgatitja e Strategjisë nacionale kundër drogave, që bashkë me institucionet dhe aktorët tjerë të merret shumë më seriozisht kjo çështje”, thotë Blakaj.

Deri para një viti, Strategjia nacionale e luftës kundër drogave ka qenë ajo e viteve 2018-2022.

Përgatitja e një strategjie të tillë është kompetencë e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës. Në një deklaratë me shkrim dhënë Radios Evropa e Lirë, kjo ministri tha se përgatitjet për të kanë nisur me një vendim për themelimin e grupit punues për hartimin e Strategjisë shtetërore kundër narkotikëve dhe planit të veprimit.

MPB-ja nuk specifikoi se kur është themeluar ky ekip, por tha se “Strategjia e re pritet të përfundojë në fund të vitit 2023, duke i respektuar afatet kohore të parapara në planin e punës”.

“Ky dokument do të jetë i strukturuar që në mënyrë të qartë t’i identifikojë objektivat dhe aktivitetet që duhet të përmbushen, në mënyrë që i gjithë mekanizimi institucional të vihet në funksion të parandalimit dhe luftimit me sukses të narkotikëve”, tha MPB-ja.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, motivet që çojnë në abuzim me substanca narkotike janë disa – nga kurioziteti deri te dëshira për t’i harruar problemet.

Sipas saj, strategjitë e parandalimit të abuzimeve duhet të bazohen në prova shkencore dhe t’i kenë në shënjestër familjet, shkollat dhe komunitetet, sidomos ato që janë më të margjinalizuara dhe më të varfra.

Nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit në Kosovë kanë thënë më herët për Radion Evropa e Lirë se, çdo vit, mbajnë aktivitete edukativo-shëndetësore për dukuritë si: varësia nga droga, duhani apo alkooli. Ato përfshijnë shpërndarjen e materialeve për edukim dhe promovim shëndetësor.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA